Bujar KURTAJ
Shkup 23 prill – Në kuadër të javës së 28 në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë, e cila në program është të shtunën dhe të dielën, pritet të kalojë në shenjë të derbit të madh ndërmjet dy rivalëve të mëdhenj Shkupi dhe Vardari. Nëse kjo përballje nuk është derbi sa i përket renditjes tabelore, është derbi i madh për faktin se takohen siç thamë dy rival të mëdhenj me histori, tituj dhe Kupa të fituara dhe që gjithmonë përballjet mes tyre kanë sjell emocione të mëdha. Ndryshe, nëse Vardari në Çair do të vjen pa ndonjë ngarkesë psikike me imperativin fitoren me çdo kusht, duke marr parasysh se aktualisht ka 11 pikë më shumë se konkurrenti i saj Shkëndija, futbollistëve të Shkupit pikët u nevojiten shumë, pasi ata ende nuk e kanë siguruar ikjen nga pozita e 8, e cila qon në balotazh për të mbetur në ligë.
Atmosfera në radhët e bardhekaltërve është e shkëlqyer dhe futbollistët, por edhe tifozët, mezi presin të fillojë ndeshja dhe të tregojnë atë që e dinë më së miri. Kapiteni dhe portieri i FC Shkupi, Suat Zendeli në prag të kësaj përballje thotë se ai dhe shokët e tij janë të përgatitur maksimalisht, ndërsa thotë se derbi nuk shikohet nga renditja tabelore përkundër asaj se Vardari ka 11 pikë diferencë ndaj Shkëndijës. “Nuk mendoj se do shumë të komentohet skuadra e Vardarit, ata janë kampion në fuqi, kanë një ekip të mirë disa vite me radhë, pastaj do të luajnë pa presion, duke marrë parasysh se kanë 11 pikë diferencë ndaj Shkëndijës, por mendoj se derbi nuk shikohet nga renditja në tabelë. Ne si ekip jemi të përgatitur maksimalisht, kemi dëshmuar edhe herëve tjera se e kemi ndalur Vardarin. Shpresojmë të japim maksimumin dhe të bëjmë ndeshje të mirë. Nëse duam të kemi rezultat pozitiv, patjetër se duhet të vrapojmë më shumë se kundërshtari, të kontrollojmë çdo pjesë të terrenit dhe ti fitojmë dyluftimet”, thotë Zendeli.
Ai beson se të prirë nga grupi i tifozëve “Shvercerat Shkup”, rezultati pozitiv do të vinte si qershia mbi tortë. “E ftoj publikun që të dielën të jetë në stadium në numër sa më të madh, ku do të ketë një spektakël futbolli, ashtu sikurse ka ndodhur në çdo derbi tjetër. Nga publiku nuk kërkojmë asgjë tjetër, përveç se të na mbështesin pa rezervë, sikurse e kanë bërë deri më tani, sepse kjo do të jetë vetëm një ndeshje dhe asgjë më shumë. Publiku ynë, në dy vitet e fundit e ka dëshmuar këtë duke qenë shembull për anim korrekt, andaj duhet ta bëjë edhe kësaj radhe, duke qenë të matur në çdo veprim, për të treguar kulturë futbolli dhe respekt për të gjithë. Sigurisht që një rezultat pozitiv, në këtë festë sportive të së dielës, do të vinte si qershia mbi tortë, për ne dhe publikun tonë”,deklaroi Suat Zendeli. Ndërkohë, Shkupi në ndeshjen ndaj Vardarit do të jetë pa të lënduarin Dimitrija Llazarevski, ndërsa Jasir Asani shkaku i marrëveshjes mes klubeve (i huazuar nga Vardari), nuk ka të drejtë të luajë, derisa kjo ndeshje është shpallur si ndeshje me rrezik të lartë.
Në Kratovë, Sileksi do të pret Shkëndijën në një përballje ku presioni është në anën e skuadrës tetovare, duke marr parasysh se ata matematikisht janë ende në garë për titull dhe do të tentojnë të fitojnë ndeshjet ndaj kundërshtarëve të tyre dhe të shfrytëzojnë çdo kiks eventual të konkurrentit të tyre Vardari. Djemtë e trajnerit Tomas Brdariç në Kratovë do të udhëtojnë të motivuar pas plasmanit në finalen e Kupës së Maqedonisë, për të dytin vit me radhë. Atmosfera është e mirë dhe të gjithë besojnë se ajo do të reflektohet edhe të dielën, kur pritet që atë ta lëshojnë stadiumin me kokat lartë.
“Duhet të vazhdojmë atmosferën e mirë që kemi në skuadër pas kualifikimit në finale të Kupës. Në kampionat kemi ngecur, por ne jemi profesionistë dhe deri në fund do të luajmë për të fituar çdo takim. Qëllimi ynë është të marrim sa më shumë pikë që mundemi, më pas do shohim si do të përfundojnë gjërat, ndërsa njëkohësisht kjo do të na ndihmojë për të qenë në formë sa më të mirë për finalen e Kupës ku kërkojmë të mbrojmë trofeun e fituar sezonin e kaluar. Sileksi ka skuadër të mirë, luajnë fortë posaçërisht në fushë të tyre dhe ne jemi të vetëdijshëm për atë që na pret. Por besoj se jemi skuadër më cilësore në këtë moment dhe në Kratovë shkojmë për të fituar tre pikë”, deklaroi për gazetën KOHA, Armend Alimi.
Edhe skuadra tjetër tetovare e qetë do ta pret përballjen me Bregallnicën, edhe pse kjo e fundit vjen me qëllim që të arrin një rezultat pozitiv, pasi është në garë për pozitën e tetë, e cila mundëson të luash në balotazh për të mbetur në elitën e futbollit vendor. Skuadra nga Shtipi aktualisht ka katër pikë më pak se Pobeda, e cila të dielën zhvillon derbin me Pelisterin. Por, kjo nuk donë të thotë se djemtë e trajnerit Qatip Osmani, të cilët që moti e kanë siguruar mbijetesën, nuk do të tentojnë të arrijnë fitore sidomos kur ata luajnë para tifozëve të tyre. Të gjitha ndeshjet e javës së 28 në LPFM-së fillojnë në ora 16.00
Dyshet:
E shtunë:
Rabotniçki – Mak.Gj.P. 1:1
E diel:
Shkupi – Vardari
Sileksi – Shkëndija
Pelisteri – Pobeda
Renova – Bregallnica