Mixhait POLLOZHANI
“Njëherë kryeqytet, përherë kryeqytet”, ky përkufizim mu duk si më i qëlluar për fillimin e këtij vështrimit të shkurtër kushtuar foto-monografisë së qytetit të Shkupit. Kështu flet e kaluara dhe këtë e konfirmon edhe e tashmja e Shkupit. Dhe këtë e dëshmojnë edhe fotografitë në vijim. Prandaj, nuk gabohemi kur themi se asnjëherë nuk është mjaft të shkruash për qytetin e Shkupit, në të cilin gërshetohen kultura të ndryshme. Ndonëse shfletimin e kësaj foto-monografie po e bëjë me një vonesë të pa arsyetueshme, (botuar në vitin 2014) por për fat ky shënim sikur i bije të jetë vazhdimi i versionit pamor të një artikullit tim të mëhershëm që e pata kushtuar planit urbanistik të Shkupit të vitit 1890, të hartuar nga shërbimet e Shtabit-gjeneral Austro-Hungarez. Por, të futemi në temë, për të përkujtuar se ashtu, si çdo projekt, edhe ky publikim ka protagonistet e vet, pa të cilët me siguri që kjo monografi në do ta shihet dritën, kurs lexuesit do ti ishin më të varfër për një publikim i cili përveç pjesës tekstuale përplot informacione dhe metafora. Pa e nënvlerësuar punën e çmuar e të tjerëve, duhet theksuar se ideator i këtij libri foto-dokumentar është Behixhudin Shehabi, i cili jo vetëm në cilësinë e postit të sekretarit në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedoni, por para se gjithash si historian i artit i specializuar pikërisht në fushën e arrit dhe kulturës islame. Kjo shihet edhe në poetikën e parafjalës, por edhe në tekstin bartës të monografisë përplot informacione që pasqyrojnë jo vetëm historinë e periudhës së sundimit osman, por edhe atë të periudhave më të hershme dhe më të vonshme të qytetit të Shkupit. Por, sigurisht që një punë shumë të rëndësishme ka kryer edhe z. Daniella Nikollova, njëherësh bashkë-autore, e cila ka siguruar dhe ka seleksionuar fondin e qindra fotografive për ta bërë këtë libër që me gjuhen më universale artistike të komunikoi vizualisht me lexuesin.
Por ,bartës të këtij rrëfimi janë edhe dy drejtuesit e Komunës së Bursës që e ka financuar batimin e kësaj foto-monografie, të cilët nuk i fshehin ndjenjat e përziera shqiptaro-turke, por as edhe nostalgjinë për kohën shkuar otomane. Rexhep Altepe, kryetar i Komunës së Qytetit të Bursës, i cili edhe e ka financuar shtypin e këtij libri, qytetin e Shkupit e shikon si vazhdimësi të Bursës. Ndërkaq, Bajram Vardar, zëvendëssekretari i përgjithshëm i kësaj komune, duke u shërbyer me vargun “qyteti i humbur” kushtuar Shkupit nga poeti shkupjan Jahja Kemal Bejatli. Po çfarë përmban në fakt në brendinë e saj kjo foto-monografi? Sigurisht, më pak tekst në katër gjuhët: turqisht, shqip anglisht dhe maqedonisht, dhe shumë më shumë fotografi. Më shumë se 200 fotografi dhe kartolina të vjetra të përmbledhura në 232 faqe, dëshmojnë për fundin e shekullit 19 dhe gjysmën e parë të shekullit 20 të qytetit të Shkupit. Nëpërmjet këtyre fotografive janë fiksuar pamje dhe momente që brenda tyre ruajnë rrëfime nga më të ndryshme të “Shkupit si qytet i kujtimeve, lotëve të freskëta dhe plagëve të pa përthara, i cili disa erë është ngritur nga hiri ashtu sikur Feniksi” do të thoshte z. Shehabi. Padyshim që, kërthiza e Shkupi dikur dhe sot është Ura e Gurit e cila i lidh dy anët e qytetit, ku puhiza e lumit sjellë kujtimet e kimit, aberit dhe moshusit aroma të përziera nga Lindja dhe Perëndimi. Fesat e kuqë dhe ferexhetë nga njëra anë, si dhe plisat e bardhë dhe froterët e mëdhenj nga ana tjetër, janë dëshmi të atyre skenave që tani më i përkasin historisë, përkujtojnë autorët.
Ndërkohë që gërshetimi imazheve arkitektonike sakrale dhe profane, flasin për atë të kaluar të bujshme të qytetit të Shkupit. Por, aty përvijohet edhe diversiteti dhe (dis)harmonia, që nëpërmjet asaj arkitekture “vepër e përkryer e dorës së njeriut” shprehin doktrinën sociale, ekonomike, kulturore dhe sidomos atë estetike të atyre pamjeve që nuk janë më, dhe atyre që u rezistuan rrebesheve të shekujve. Nëpërmjet këtyre fotografive autorët e librit na sjellin pamje të Çarshisë së Shkupit, xhamive, haneve dhe hamameve që sot janë monumentet të vjetra me vlerë dhe mjaft impozante që i njeh tradita e arkitekturës islamo-osmane. Ti marrim me radhë: Xhamia Allaxha (e larme) (1389) Xhamia e Mustafa Pashës (1492), Xhamia e Jahja Pashës (1504), Kurshumli Hani (1520), Kapan Hani (shek. 16), Çifte Hamami (shek. 15), Hamami i Daut Pashës (1525), kompleksi me dyqane Bezistan, etj. Por këtë fotografi sjellin pamje si dëshmi të objekteve të kultit që nuk janë më, siç janë: Xhamia Burmali, Xhamia Ibën Pajko, etj.
Fundi i shekullit XIX është koha kur fillon të planifikohet dhe realizohet ndërtimi i pjesës urbane moderne të qytetit të Shkupit. Me ngritjen e stacionit të trenit në anën e djathtë të lumit Vardar, kjo pjesë e qytetit fillon të zhvillohet në një qendër moderne urbanistike sipas modelit evropian. Këto fotografi sjellin pamje të objekteve me karakter publik dhe ekonomik, siç janë shkolla, spitale, kapacitete ekonomike e prodhuese, hotele, banka, përfaqësi konsulare, etj. Pa çka se heterogjenia gjenealogjike e qytetit të Shkupit, i cili i mbijetoi tre tërmetet më të fuqishëm që njeh historia e Ballkanit (njëri në vitin 513, tjetri më 1555, kurse i treti në vitin 1963), viteve të fundit po i vuan konsekuencat e një projekti, që nga njëra anë është shpallur si tejet nacional patriotik, kurse nga ana tjetër është cilësuar si tentim për (ri)dizajnimin e fizionomisë së këtij qyteti me më shumë identitete. Mbase vitalitetit të tij për mbijetesë mund ti bashkëngjiten edhe fotografitë e këtij publikimi,si dhe shumë foto të tjera, për ta mbajtur gjallë kujtesën për të kaluarën si mundësi komunikimi më të lehtë me të tashmen dhe me të ardhmen e Shkupit. Ky libër, me siguri që do të dukej akoma më i kompletuar sikur brenda tij të kishte ca më shumë pamje fotografike me elementin shqiptarë. Por, sidoqoftë, kësaj radhe duhet të mjaftohemi edhe me kaq! Dhe si përfundim, nëse është e vërtetët ajo që thuhet, se “Një fotografi flet sa 1000 fjalë” ashtu siç pretendon njëri nga autorët, edhe ne nuk na mbetet gjë tjetër, përveç se ti lëmë që të flasin vetë ato.