Shkup, 20 nëntor – Vjedhësit operojnë me të madhe në kryeqytetin e Shkupit. Vetëm për 9 muajit e fundit në territorin e Shkupit janë kryer gjithsej 1.141 vjedhje, prej të cilave 1.043 janë vjedhje të rënda, ndërsa 98 të lehta. Para, flori, aksesore të shtrenjta shtëpiake, suvenire dhe teknikë të bardh, janë mallrat më të preferuara e vjedhësve, thonë nga MPB. “Në të shumtën e rasteve vidhen florinj, para -kryesisht deviza, suvenire të ndryshme , orë të shtrenjta, fotoaparate, kamera, laptopa, kompjuterë dhe celularë. Pra, vjedhësit marrin gjëra të lehta që u mundësojnë të largohen më shpejt nga vendi i krimit. Por ka pasur raste kur janë vjedhur dhe televizorë dhe gjëra tjera te mëdha. Shtëpitë e vendbanimeve urbane dhe banesat e kateve të poshtme janë më së shumti në shënjestër e hajdutëve”, ka thënë Biljana Milevska, kryeshefe e MPB-së. Vjedhjet nuk kanë një sezon të caktuar, ato vazhdojnë gjatë gjithë vitit. Në të kaluarën periudha më e preferuar për vjedhësit ishte periudha e pushimeve verore apo dimërore, kur e gjithë familja nuk ishte në shtëpi me ditë të tëra dhe kjo mundësonte planifikim më të gjatë të vjedhjes. Por tani vjedhësit operojnë gjatë gjithë vitit, megjithatë në orare të preferuara, gjatë orëve kur të zotët e shtëpisë janë në punë. Qytetarët e anketuar thonë se nuk ndjehen të sigurt se organet e rendit mund ti mbrojnë nga vjedhësit dhe më shumë preferojnë të lënë një anëtar në shtëpi kur dalin jashtë saj. Ka shumë mënyra të tjera të ruajtjes së shtëpisë pa lënë njerëz brenda. Dyert e blinduara apo alarmet janë përzgjedhja e qytetarëve. Por tashmë vjedhësit janë bërë po aq të zgjuar sa edhe teknologjia që përdoret kundër tyre dhe jo gjithnjë alarmi është pengesë për ta. Kamerat e sigurisë janë një mënyrë e re për të ruajtur shtëpinë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara