Laura PAPRANIKU
Shkup, 3 shkurt – Probleme të shumta në arsim fatkeqësisht nuk do të mund të gjejnë zgjidhje edhe për një kohë të gjatë. Arsimi, siç e pranon edhe vetë njeriu i parë i këtij dikasteri, është i politizuar, respektivisht janë “çështje të cilat lidhen me situatën politike”, shprehet ministri Pishtar Lutfiu. Për rrjedhojë, nuk mund të dihet se kur do te zhbllokohen procedurave për regjistrimin e shkollave fillore “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi” në Regjistrin Qendror të Maqedonisë. Shkollat edhe më tej do të duhet të firmosin dhe vulosin dëftesat dhe dokumentet zyrtare me emrat e heronjve jugosllav, “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov”. Por, për shkak të politikës nuk mund të pritet sigurimi i profesorëve shqiptarë për paralelet shqipe të gjimnazit në Veles dhe as që mund të bëhet fjalë për sigurimi i lejes dhe tokës për ndërtimi e një shkolle fillore në fshatin Bllacë të Shkupit.
Jo vetëm këto probleme, por edhe shumë të tjera që lidhe me shqiptarët dhe shkollimin në gjuhën shqipe, thjesht po mbahen peng i politikave diskriminuese. Por, pavarësisht kësaj, ministri Lutfiu shprehet i hapur të takohet me palët. Thotë se me kënaqësi do të takonte prindërit, profesorët dhe nxënësit e Velesit, për t’i dëgjuar dhe diskutuar rreth kërkesave të tyre. Zgjidhja e problemeve pastaj është një çështje që nuk varet nga ministri. Në fshatin Buzallakovë të Velesit, prindërit kërkojnë të ndërtohet një objekt i ri shkollor pasi ekzistuesi është tej mase i amortizuar dhe nuk ofron as kruhet minimale për mësim.
“Ne si MASH i jemi të hapur për takime me të gjithë dhe sigurisht që do të bëjmë maksimumin t’u ndihmojmë në këto rrethana, duke pasur parasysh situatën politike, e cila na ka tanguar si ministri”, shprehet ministri i Arsimit, ndërsa pak a shumë të ngjashme janë rrethanat edhe për rregullimin e shkollave fillore që gravitojnë në Komunën e Karposhit në Shkup. Disa dhjetëra shqiptarë të Nerezit të Epërm, mësojnë në kushte mesjetare, mirëpo deri tani, sikurse tregon Lutfiu, nuk janë gjetur ende format e komunikimit mes MASH-it dhe Komunës.
Lidhur me ngërçin e emrave shqip të shkollave fillore në Komunën e Çairit, ministri i Arsimit fajëson drejtpërdrejtë politikën, respektivisht klimën e tendosur politike, e cila ka zgjat tani e një kohë të gjatë. “Për shkak të situatës politike, periudhës së zgjedhjeve, nuk ka mundur të bëhet asgjë në drejtim të regjistrimit të shkollave më emrat e rinj. Presim të zgjidhet ky problem së shpejti. Të mbyllet tërësisht ky proces zgjedhor, të zgjidhet Qeveria e re dhe pas kësaj me siguri që do të ketë lëvizje edhe në atë drejtim”, shprehet ministri i Arsimit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.