Laura PAPRANIKU
Shkup, 21 qershor – Orientimi i nxënësve nëpër drejtime profesionale, të cilësuar si nevojë e tregut të punës vazhdon të mbetet problematik me gjithë përpjekjet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të ndryshuar raportin e atyre që synojnë gjimnazet dhe shkollat elite, me ata që profesionin e tyre e lidhin me shkollat e zanateve, shkruan gazeta KOHA.
Është thënë vazhdimisht se orientimi i nxënësve në shkollat profesionale të drejtimeve, për të cilat ka nevojë tregu i punës do të jetë njëri prej angazhimeve kryesore në krijimin e politikave arsimore të nivelit të mesëm. Mirëpo, pavarësisht të gjithave, mungojnë rezultatet e duhura. Pjesa dërmuese e nxënësve regjistrohen nëpër gjimnaze, ndërsa edhe ata që vendosin të profesionalizohen e kanë tejet të ngushtë gamën e drejtimeve që zgjedhin. Konkretisht, kufizohen në shkollat e mesme të mjekësisë dhe ekonomisë. Ky shqetësim qëndron i pasqyruar edhe në Strategjinë Gjithëpërfshirëse të Arsimit (2017-2020), ku vërehet se “pavarësisht përpjekjeve për përmirësimi e situatës, arsimi i mesëm profesional sfidohet edhe më tej nga shumë probleme”. Konkretisht, aty thuhet se arsimi profesional nuk tërheq numër të mjaftueshëm nxënësish, përveç disa drejtimeve të fushave të shëndetësisë, ekonomisë dhe drejtësisë. Jashtëzakonisht i vogël është numri i nxënësve që zgjedhin arsimin e mesëm tre vjeçar. Në vitin shkollor 2014/2015, kur edhe janë bazuar të dhënat për përpilimin e Strategjisë, vetëm 3186 nxënës ndiqnin arsimin e mesëm trevjeçar, nga 49.484 sa ishte në total numri i nxënësve në shkollat e mesme profesionale. Pra, në të ashtuquajturat shkollat e zanatit shkojnë jo më shumë se 6.3 për qind e nxënësve. Për të përmirësuar situatën, MASH ka vendosur të shkojë me shkurtimin e viteve në disa profile të arsimit të mesëm, duke ofruar për vitin shkollor 2017/2018 edhe arsim të mesëm dy vjeçar. Se cila do të jetë jehona e regjistrimit të nxënësve në këto profile, mbetet të presim javën e ardhshme kur edhe do të nis paraqitja e dokumenteve për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme. Por, ajo që vërehet është tendenca në rritje e personave me arsim trevjeçar për të plotësuar shkallën e arsimit të tyre, pasi paraprakisht kanë mbaruar në ndonjërën prej shkollave të mesme tre vjeçare. Kështu, vetëm para dy viteve ishin 1049 persona të cilët ndiqnin arsimin pas nivelit të mesëm. Kjo kategori e nxënësve përbën 1.8 për qind të numrit të nxënësve, të përfshirë në arsimin e mesëm profesional. Motivi për të plotësuar vitet e shkollimit të mesëm, padyshim që kanë të bëjnë me mundësitë e limituara që ofron arsimi i mesëm tre dhe dy vjeçar. Ata që nuk kanë të kryer arsimin e mesëm katërvjeçar, nuk mund të regjistrohen nëpër fakultete dhe, përveç kësaj, jo vetëm që nuk janë të gjëra mundësitë e punësimit, por janë edhe vendet e punës më pak të paguara.
Në Maqedoni është problematike edhe “mospërputhshmëria mes ofertës së kualifikimeve me kërkesën e tregut dhe fuqinë e punës, ndërsa sistemi i vendosjes së kualifikimeve është joefikas dhe joefiçent, njëlloj sikurse bashkëpunimi mes sektorit të biznesit për trajnim konkret dhe punën praktike të nxënësve në ambientet e punës”, sikurse nënvizon Strategjia Gjithëpërfshirëse Arsimore (2017-2020). Jo më pak të rënda, sa i përket shkaqeve për situatën e palakmueshme të arsimit të mesëm profesional, janë dështimet me kuadrin mësimdhënës, e të cilët kritikohen për demotivimin e nxënësve në zgjedhjen e këtij lloj shkollimi.
“Vërehen mangësi thelbësore të njohurive që lidhen me teknologjitë bashkëkohore të mësimdhënësve lëndorë dhe kjo gjendje e komplikon dyfish motivimin e ulët të mësimdhënësve dhe sistemit të pa zhvilluar sa duhet për përparim dhe karrierë. Pikërisht për këtë arsye zotërojnë metodat tradicionale të procesit mësimor, ndërsa mekanizmi ekzistues i vlerësimit ekstern të mësimdhënësve është jo produktiv”, thuhet aty.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara