Bujar KURTAJ
Shkup, 26 prill – Ndeshjet e Ligës së parë vazhdojnë edhe sot (e mërkurë), kur në program do të zhvillohet java e 29. Në përjashtim të sfidës Rabotniçki – Shkupi, e cila zhvillohet të enjten, në program do të jenë katër përballje, derisa pa dyshim në qendër të vëmendjes do të jetë përballja mes Shkëndijës dhe Vardarit.
Edhe pse diferenca mes këtyre dy rivalëve të mëdhenj në garën për titull është 13 pikë, prapë se prapë është derbi, ku Shkëndija do të kërkojë fitoren dhe të përmirësojë bilancin e saj me këtë rival, pasi nga tre përballjet e deritanishme ka një fitore dhe dy humbje. Në presion për të rikthyer vetëbesimin tek drejtuesit e klubit është edhe trajneri Tomas Brdariç, i cili assesi nuk mund të gjejë recetën e duhur për të mposhtur kampionin aktual, edhe pse realisht skuadra e tij edhe këtë vit u tregua e shkathtë dhe në dy herë eliminoi ata nga ky kompeticon i garave. Të vetëdijshëm për hapat fals që i bënë në sezonin pranveror dhe që i kushtuan titullin e kampionit, janë edhe futbollistët e Shkëndijës. Por, Ata thonë se në vazhdim duhet të luajnë maksimalisht dhe profesionalisht në çdo ndeshje të radhës. Sa i përket ndeshjes së sotme, ata thonë se do të luajnë për fitore.
“Kemi bërë disa gabime të pafalshme që na kanë distancuar shumë nga lufta për kreun e renditjes. Mirëpo duhet të vazhdojmë përpara pasi titulli ishte një prej disa objektivat që i kemi vënë para vetes. Duhet të luajmë maksimalisht dhe profesional në çdo ndeshje të radhës pasi para vetes kemi edhe objektiva tjerë të rëndësishme si finalja e Kupës, pastaj pjesëmarrja në Evropë dhe ne duhet të jemi sa më të përgatitur. Në kampionat do të luajmë për fitore në çdo ndeshje megjithëse tani më aty nuk varen gjërat nga ne. Kundër Vardarit do të luajmë për fitore, pasi mendoj se kemi kapacitet për të mundur këtë rival dhe do hyjmë me 100 për qind të forcave për të dalë me tre pikë”, deklaroi për gazetën KOHA, Besart Ibraimi. Për këtë pëballje Brdariç nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Ferhan Hasanit dhe Egzon Bejtullait.
Ndërkohë, kjo ndeshje do të zhvillohet pa shikues pasi dje Komisioni për Disiplinë pranë Federatës Futbollistike të Maqedonisë, e ka dënuar KF Shkëndija me 6 ndeshje pa publik pas incidentit në ndeshjen kthyese të Kupës së Maqedonisë. Një hendikep i madh për skuadrën tetovare por edhe aktorët e kësaj ndeshje.
Ndryshe, në përjashtim të kësaj xhiro (29), deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe shtatë xhiro, ndërsa interesante do të jetë lufta për pozitën e tretë dhe të katërt si dhe mbijetesa. Makedonija Gj.P., Pobeda dhe Bregallnica “luftojnë” për të kapur një vend në balotazh (pozitën e 8), ndërsa Pelisteri po “lufton” tu ik Renovës dhe Sileksit. Mirëpo, gjithçka është e mundur në këto 8 xhiro. Makedonija do të pret Renovën, Bregallnica në Shtip përballet me Pelisterin, dy mundësi që këto dy ekipe të shfrytëzojnë terrenet nikoqire dhe të mbeten në luftë për pozitën që qon në balotazh, derisa Renova me fitore eventuale ndaj Makedonia Gj.P. do të mbetet në garë për pozitën e tretë dhe të katërt. Ndërkohë, Pobeda do të pret Sileksin, ku tre pikët u nevojiten të dyja skuadrave. Të gjitha ndeshjet e javës së 29 do të fillojnë në ora 16.00.
Dyshet:
E mërkurë:
Mak.Gj.P. – Renova
Bregallnica – Pelisteri
Pobeda – Sileksi
Shkëndija – Vardari
E enjte:
Rabotniçki – Shkupi