Kampionati amerikan i basketbollit nuk është asnjëherë i mërzitshëm dhe jo vetëm falë spektaklit që japin skuadrat në parket, por edhe për histori të tjera që nuk kanë shumë lidhje me sportin, siç është rasti i ngjarjes në “Madison Square Garden”, në përballjen mes New York Knicks dhe LA Clippers. Sfida filloi me arrestimin e Charles Oakley, të kryer në transmetim direkt. Idhulli i njujorkezëve në vitet ‘90 u largua nga pronari i skuadrës, Dolan dhe kjo bëri që ai të reagojë ashpër, duke sulmuar punonjësit e sigurisë. Ishin 7 persona që në fund arritën ta mbërthejnë me forcë Oakley-n, për ta dorëzuar te forcat e policisë. Ndeshja u pezullua për disa minuta, deri në momentin e qetësimit të situatës. Më pas, në parket u fol gjuha e basketbollit. Fituesja e sfidës ishte skuadra e LA Clippers me rezultatin 119-115.