Golat e shënuar nga portierët janë të rrallë në botën e futbollit, por në atë të luajtur në rërë situata ndryshon. Fushat e vogla i japin mundësinë kujtdo të gjuajë nga të gjitha këndet. Këtë e ka provuar Irani në Kampionatin Botëror të Futbollit të Plazhit, me golin hapës të takimit, i cili ishte një finalizim i jashtëzakonshëm i atij që ka detyrën të mbajë portën të paprekur.
Peyman Hosseini është autori i golit në fjalë, i cili pas tre prekjesh kontrolloi topin për ta dërguar më pas në rrjetë nga një distancë prej 30 metrash. Gjuajtja e tij spektakolare e ndihmoi Iranin të hapte takimin të cilin e fitoi 3-2 ndaj Meksikës. Kampionati Botëror i Futbollit të Plazhit është duke u zhvilluar në Bahamas, ndërsa kampioni në fuqi është Portugalia.