Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby të martën deklaroi se Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu ka shprehur shqetësim në lidhje me disa spekulime se SHBA është e përfshirë në atentatin e ambasadorit rus në Ankara, Andrey Karlov. Kirby në brifingun e rregullt theksoi se Kerry “ka shprehur shqetësim për disa spekulime se Amerika është e përfshirë në atentatin apo e ka mbështetur nga fakti se Fethullah Gyleni ndodhet në SHBA”. “Ky është një pretendim qesharak. Nuk ka asgjë që tregon se kjo është e vërtetë. Kerry gjatë bisedës së sotme na tha qartë këtë”, ka thënë Kirby. Rikujtojmë se ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Çavushoglu të martën informoi Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry se organizata terroriste FETO qëndron pas vrasjes së Andrey Karlov, ambasadorit rus në Ankara. Sipas burimeve diplomatike të Turqisë, Çavushoglu ka biseduar me telefon me Kerry-in, dhe me këtë rast ia kumtoi se atentatin në Ankara e ka kryer Mevlut Mert Altintas, duke vënë në dukje se pas atentatit të ambasadorit Karlov qëndron organizata terroriste FETO. Ambasadori rus Karlov u vra të hënën në një sulm terrorist gjatë fjalimit në hapjen e një ekspozite fotografish në Ankara të organizuar nga Ambasada Ruse dhe komuna e Ankarasë, Çankaja.