SHBA me diplomaci kundër Koresë V., jo me veprim ushtarak

Zyrtarë të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara u thanë senatorëve amerikanë se qëllim i tyre është të nxisin Korenë e Veriut që të çmontojë programet e saj bërthamore dhe raketore, përmes sanksioneve më të fuqishme ndërkombëtare dhe presionit diplomatik. Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura ndaj Phenjanit në javët e fundit, të cilat sugjeronin se Uashingtoni mund të veprojë ushtarakisht, zyrtarët u thanë ligjvënësve të Senatit se administrata mbetet e hapur për negociata me Korenë Veriore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, dhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Dan Coats, e përshkruan Korenë e Veriut si një “ kërcënim urgjent të sigurisë kombëtare”, që synon të zhvillojë aftësi për lëshimin e raketave bërthamore kundër SHBA-së. “Qasja e presidentit ka për qëllim t’i bëjë presion Koresë së Veriut për çmontimin e programit të saj bërthamor dhe të raketave baltistike, duke forcuar sanksionet ekonomike dhe duke ndërmarrë masa diplomatike me aleatët tanë dhe partnerët rajonalë”, thanë ata në një deklaratë.