Vjollca SADIKU
Dibër, 3 gusht- Edhe kësaj vere i gëzohemi frytit të shalqirit, pasi që ai jo vetëm që është i shijshëm dhe i ëmbël, por na jep një freski gjatë këtyre ditëve të nxehta. Në Dibër tradicionalisht bujqit kanë mbjellë sipërfaqe të mëdha me shalqi, shkruan gazeta KOHA. Ky fryt, sidomos në fshatrat kufitar ka qenë prezent në sipërfaqe të gjëra nga të cilët pastaj buqit kanë përfituar materialisht.
Shalqiri, një fryt i bekuar edhe sivjet është prezent në tregun e Dibrës. Ndoshta jo ashtu siç ka qenë para disa dekadave, kur kryesisht furnizimi i tregut dibran është bërë nga fermerët vendas, por përsëri shalqiri dibran kërkohet nga pjesa më e madhe e konsumatorit. Por, këtë verë përsëri shalqiri është i ëmbël, por çmimet të tij në treg janë të hidhët. Edhe pse përveç shalqirit vendas ka edhe sasi të mëdha të shalqirit nga vise të tjera të vendit, çmimet siç thonë dibranët, janë shumë më të larta në krahasim me vitet e kaluar. Shalqiri që plasohet në tregun dibran nga Strumica, Gjevgjelia dhe qytet të tjera të lindjes, është diçka më i lirë, por ai assesi nuk mund të zëvendësojnë shijen tejet të ëmbël dhe kualitetin e shalqirit vendas.
Kur jemi tek prodhimtaria e shalqirit, sipas prodhuesit dibran, Osman Kazani, i cili vazhdon në sipërfaqe të tij bujqësore të mbjellë këtë fryt, sa i takon sasisë, ka një rënie të dukshme. Fshatarët migruan dhe janë shumë pak bujq, të cilët merren me pemëtari dhe kopshtari. Është krejt normale, thotë ai, që kur prodhohet më pak, të ketë një rritje të çmimeve. Familja jonë, shton ai, ka prodhuar disa herë më shumë shalqi dhe pjepër dhe pa probleme është shitur shpejt në tregun e Dibrës. Por, njëkohësisht kemi furnizuar tërësisht fshatrat e Zhupës dhe Rekës, shton Osman Kazani. Në shoqatën e bujqve dibranë thonë se kultivimi i shalqirit gjithmonë ka qenë i suksesshëm. Dibra posedon kushte shumë të mira për prodhimin e shalqirit dhe pjeprit. Gjatë verës, siç thonë bujqit, turistë të shumtë që vizitojnë banjat e Dibrës në të dy lokalitet, Banjisht dhe Kosovrast, por edhe turistët të tjerë, kërkojnë në tregun e Dibrës vetëm shalqirin dhe pjeprin dibran. Kur bëjmë fjalë për kopshtarinë dhe pemëtarinë e rajonit më të gjerë të Dibrës, ulja e prodhimtarisë ka të bëjë edhe me mosfunksionimin e sistemit të vaditjes së fushës së Dibrës. Agronomi i njohur dibran, Gazmend Ajdaraga, thekson se dekadën e fundit kultivimi i shalqirit ngec, meqë bujqit e fshatrave kufitare janë më të paktë. Para më shumë se dy dekadave nga shalqiri dhe shitja e tij, është jetuar shumë mirë dhe shumë familje kanë pasur kultivimin e tij si element primar. Prandaj, kompetentët duhet të ndërmarrin të gjitha aktivitete për rifunksionimin e sistemit për vaditje të fushës së madhe të Dibrës, thotë Ajdaraga.
Ekspertët thonë se Dibra është e njohur për gështenjën, specat, domatet, por edhe për shalqirin. Por, tregu dibran është ai i cili duhet furnizuar me shalqirin e ëmbël vendor, por jo edhe me çmime të hidhura, , thonë konsumatorët. Standardi teje i ulët dibranëve, meqë 1 e 3 e popullatës jeton me ndihma sociale, sigurisht se kërkon edhe çmime më të volitshme kur bëhet fjalë për furnizimin me prodhimet bujqësore. (koha.mk)