Strugë, 22 dhjetor – Mërgimtarët e Dollogozhdit sërish janë bërë protagonistë në ndihmë të fshatit të tyre. Ata së fundi kanë donuar qindra metra rrethore anësore metalike për rrethimin e përroit të fshatit si dhe urave të fshatit. Neim Zhaku, i cili zbaton këtë projekt i kontraktuar nga mërgimtarët, potencon për gazetën KOHA, se rrethimi i rrugës përskaj përroit me anësore metalike dhe i urave është një investim që vjen nga dollogozhdarët e Zvicrës. “Përveç urave me rrethoja metalike do vendosen edhe në rrugën përskaj përroit të fshatit. I gjithë investimi si i rrethojave ashtu dhe punës është mbuluar nga mërgimtarët”, përfundon ai. Edhe pse të lindur në dhe të huaj dhe të larguar nga vendlindja e tyre prej shumë vitesh ata prapë vazhdojnë të mendojnë për vendin e prejardhjes të të parëve të tyre, duke inicuar projekte në shërbim të komunitetit nga vijnë. Vetëm në dekadën e fundit dollogozhdarët e mërgatës kanë qenë pjesë e një sërë projektesh të realizuara në fshatin Dollogozhdë, duke iniciuar dhe finalizuar shumë investime të nevojshme për këtë fshat të Strugës që kapin shifrën e qindra mijë frangash zvicerane. Por, një iniciativë interesante dhe shumë kuptimplote nga Shoqata e dollogozhdarëve të Zvicrës, përveç aktiviteteve të shumta në funksion të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës dhe traditës në tokë të huaj është edhe takimi i përvitshëm gjithë-popullor i ideuar si një vendtakim kulturo-sportivë për të gjithë mërgimtarët nga Dollogozhda që prej vitesh jetojnë në pjesë të ndryshme të Europës. Shoqata e dollogozhdarëve në Zvicër është themeluar në vitin 1989, ndërsa e regjistruar në regjistrin shtetëror të Zvicrës figuron që nga viti 1991 dhe prej atëherë ka qenë në ballë të nevojave dhe aktiviteteve që i shtronte koha sidomos në kohën e luftërave të shqiptarëve për liri. Gjithashtu, Shoqata e dollogozhdarëve të Zvicrës, përveç aktiviteteve të shumta në funksion të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës dhe traditës në tokë të huaj është orientuar edhe drejt promovimit dhe mbështetjes së arsimimit të gjeneratave të reja. Prej disa vitesh kjo organizatë ndan bursa studimi për tre studentë me sukses më të dalluar nga fshati Dollogozhdë, që kanë vështirësi financiare. (P.L)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.