Studiues, intelektualë e njerëz nga jeta akademike në Serbi prej javësh kanë filluar nënshkrimin e një peticioni që i shpall luftë ‘darvinizmit’ dhe teorisë së evolucionit. Ky peticion, që kërkon heqjen e teorisë së evolucionit nga tekstet shkollore, është nënshkruar nga 166 persona. Habit fakti se njëri nga nënshtruesit e peticionit për “ndalimin e Darvinit” është edhe Tomisllav Terzin, profesor i biologjisë në Universitetin e Albertës në Kanada. Autor i librit jokonvencional ‘Zbulimet e censuruara shkencore’, një përzierje mes fesë dhe shkencës, ai ka bërë me gisht si fajtorë ‘ateistët’ dhe ‘dogmatistët e Darvinit’. ”Darvinizmi nuk ka përgjigje për çështjen e kodit gjenetik. Nuk ka përgjigje për çështjen e origjinës së një sasie të madhe të informacionit në molekulat e ADN-së”, ka thënë Terzin në një intervistë për ‘Blic’. Tutje, ai ka kaluar në domenin e teorive konspirative kur ka thënë se ‘lobi darvinist-ateist është kaq i fuqishëm financiarisht dhe në kontrollimin e mediave, sa dija e re nuk mund të publikohet si pasojë e censurës së rreptë’. Terzin ka propozuar zëvendësimin e ‘darvinizmit’ me të vërtetat e krishtera. ”Në vend të darvinizmit duhet të mësohet koncepti i dizajnit inteligjent, që është një teori alternative shkencore për origjinën”, ka shtuar ai. Përndryshe, peticioni kundër studimit të teorisë së evolucionit është nënshkruar nga një numër akademikësh, profesorësh, avokatësh, doktorësh të shkencave, gazetarëve dhe priftërinjve. Më pas, teksti i peticionit i është përcjellë Ministrisë së Arsimit të Serbisë, Komitetit Parlamentar për Arsim si dhe universiteteve në Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevc dhe Banja Llukë.