E përditshmja serbe “Kurir” e ka quajtur provokim dhe skandal gjestin e atletit shqiptar Izmir Smajlaj në Europianin e sallave të mbyllura që po zhvillohet në Beograd, ku ai mori medaljen e artë në garën e kërcimit së gjati. Smajlaj, pasi kërceu 8.08 metra dhe mori medaljen e artë, bëri gjestin e shqiponjës me duart e tij nga kamera, duke treguar edhe se është shqiptar. Por “Kurir” e ka quajtur këtë gjest një provokim të shqiptarit, duke deklaruar se Smajlaj nuk respektoi duartrokitjet e spektatorëve pas triumfit në garën e tij.
“Me këtë gjest, Izmir Smajlaj provokoi audiencën, që po e duartrokiste”, shkruan “Kurir” në faqen e saj zyrtare në internet, duke postuar edhe videon nga momenti i festimit të atletit shqiptar. Atleti shqiptar mori medaljen e artë në kërcim së gjati duke kërcyer 8.08 metra dhe vendosur rekord kombëtar, duke i dhënë Shqipërisë medaljen e parë të artë në një Europian të atletikës. Por duket se ora e serbëve ka ngelur ende të eliminatoret e Europianit, kur flamuri me Shqipërinë e madhe hyri nga qielli, ndërkohë që Smajlaj bëri një simbol të flamurit kuqezi.