Vetëm një “ok” dhe Clarens Seedorf do të jetë pasuesi i Giani de Biazit në stolin e Shqipërisë. Këtë javë pritet që federata shqiptare e futbollit të zgjidhë dyshimet e fundit. Presidenti Armand Duka është i dyzuar, teksa gara për të marrë vendin e lënë vakant nga italiani është vetëm mes dy trajnerëve: Clarens Sedorf dhe Luigi De Kanio.
Por, kandidatura e holandezit është më e forta, për një simpati personale të presidentit të federatës.
Duka i ka dhënë më shumë kohë vetes, teksa çdo ditë që kalon është në dëmin e federatës. Në fakt, brenda fundit të korrikut duhet të zgjidhet edhe kjo nyje, edhe pse sipas asaj që ka mësuar “Sport Ekspres”, gjatë kësaj jave mund të kemi emrin e trajnerit të ri të Shqipërisë.
Para dy javësh, Armand Duka dhe Clarens Seedorf, kanë pasur një takim të fshehtë. Sport Ekspres ka mësuar se takimi ndodhi në një lokal ku edhe hyrja është me kartë klienti dhe ku askush nuk kishte akses. Seedorf ka mbërritur me avion nga Milano, teksa ka marrë daljen dytësore të aeroportit të Rinasit, për të mos u vënë re nga askush, edhe pse e kanë parë të pranishmit.
Armand Duka, Seedorf, Lutfi Nuri dhe Fatbardh Jera i janë drejtuar një lokali në bllok dhe, më pas, gjithçka është zhvndosur në Durrës, aty ku edhe kanë drekuar.
Dy orë bisedë, teksa Sedorf ka qenë i shoqëruar edhe nga agjenti i tij. Ish-trajneri i Milanit, në bisedën që ka pasur me presidentin e federatës shqiptare, ndër të tjera i është drejtuar Dukës me këtë fjali: “Nuk më interesojnë paratë, do të flasim për ato pasi të biem dakord fillimisht për atë që do të bëjmë. Jam entuziast për të drejtuar kombëtaren e Shqipërisë dhe është një sfidë e imja personale. Jam i pasur, nuk nisem nga kontrata, por projekti dhe ajo që bashkë do të bëjmë. Nëse doni, mbani stafin ekzistues, ose po ashtu më thoni, jam në dispozicion, por ky është një problem sekondar”, është shprehur holandezi, teksa Duka e dëgjonte.
Ndërkohë, ai ka shtuar ndër të tjera, me sinqeritet të plotë.
“Mund të them që e njoh Shqipërinë, por do të gënjeja. Nuk e kam parë asnjëherë, as në Europian. Do të nis prej tani të studioj ndeshjet në Youtube dhe do të shoh dhe futbollistët që luajnë, si edhe mosha e tyre. Jam gati t’i takoj personalisht për t’i treguar atë që unë kam ndër mend. E përsëris, Shqipëria është sfida ime, tani ju mbetet ju në dorë të vendosni”.
Pasi e ka falënderuar, presidenti Duka e ka shoqëruar deri në aeroport ish-trajnerin e Milanit dhe ish-futbollistin e Holandës, që është nisur drejt Italisë sërish.