Ylli i Mançester Junajtedit, Uejn Runi, pas triumfit në “Europa League”, ka bërë të ditur se ka shumë oferta në drejtim të tij dhe është duke e konsideruar të ardhmen. Sulmuesi anglez nuk ka pasur paraqitje të rregullta nën menaxhimin e Hoze Murinjos, dhe është i lidhur me një largim nga “Old Trafford”. Runi la të kuptohet se e ardhmja e tij është larg Premier ligës, pasi nuk dëshiron ta veshë fanellën e ndonjë klubi anglez, përveç Evertonit e Junajtedit. “Ka shumë oferta, edhe në Angli edhe jashtë saj, dhe tani duhet të vendos. Duhet të marr vendimin gjatë javëve të ardhshme ,por duhet të flas me familjen dhe më pas të vendos. Kam luajtur vetëm për dy klube në Premier Ligë, Evertonin dhe Junajtedin dhe ato mbeten ekipet e vetme për të cilat do të luaj në Angli”, deklaroi Runi për “The Guardian”, duke konfirmuar se nëse largohet nga “Djajtë e Kuq”, do ta bëjë për një klub jashtë Anglisë, që flitet MLS është destinacioni.