Urim HASIPI
Tetovë, 29 qershor – Organizatat joqeveritare të rajonit të Pollogut dhe Shkupit, që veprojnë si Platforma “Miqtë e Sharrit” që është një nga lobistët që Mali Sharr të shpallet park kombëtar, reagojnë ashpër për zhvillimet e fundit, sidomos me hapjen e rrugëve në lokalitetin e quajtur Leshnica, shkruan gazeta KOHA. Miqtë e Sharrit konsiderojnë se ndërtimi i rrugëve në zemrën e parkut të ardhshëm, respektivisht në zonën e cila në të ardhmen do ishte e mbrojtur, është absurde dhe shqetësuese për botën shtazorë në këtë pjesë.
“Në vend që të gjithë së bashku të punojmë për mbrojtjen e malit, 20 ditët e fundit kjo zonë shkatërrohet me ndërtimin e rrugëve. Platforma nuk është e njoftuar nëse rrugët për Leshnicë të Lartë dhe Xhinibeg janë të ndërtuar në bazë të ndonjë plani dhe nëse për ketë ekziston ndonjë elaborat për ndikimin e tyre ndaj ambientit jetësor. Konsiderojmë se ekzistimi i rrugëve do të jetë kërcënim për botën e gjallë, respektivisht ajo që ngeli nga dhitë e egra si dhe kafshëve tjera, siç janë ujku dhe ariu, deklaroi Jovan Bozhinovski, anëtar i Platformës “Miqtë e Sharrit”. Sipas tyre, dëmi i bërë me këto rrugë është i pariparueshëm dhe atë përveç se janë kanosje për biodiversitetin, shkatërrojnë shumicën e shtigjeve malore unikate, pejsazhin si dhe vlerat turistike të këtij lokaliteti. Me këtë hap, vlera e ofertës turistike e Malit Sharr, e rajonit si dhe Maqedonisë zvogëlohet dhe asnjëherë nuk do jetë e njëjtë. Në ndërkohë, nga Ndërmarrja Publike për Ekonomizim me Kullotat, thonë se rruga e hapur para një kohe në Leshnicë të Malit Sharr, është projekt i tyre. Kjo është konfirmuar nga drejtori i kësaj ndërmarrje, Lulzim Fejzullai. Ai thotë se rruga është hapur me kërkesë të blegtorëve, të cilët kanë pasur vështirësi për të arritur deri te stanet. Pasi që ditë më parë Platforma “Miqtë e Sharrit”, që senzibilizon opinionin për shpalljen e Malit Sharr park kombëtar, ka alarmuar situatën se hapja e rrugës është e dëmshme për biodiversitetin. Nga ana tjetër, drejtori Fejzullahu sqaron se hapja e rrugës do të ndihmojë në ruajtjen e natyrës në këtë pjesë. “Rrugën e kemi hapur dhe i bëjmë mirë Malit Sharr në disa pika. Pika e parë është se ajo rrugë që është hapur, është bërë me kërkesë të blegtorëve në atë pjesë, sepse nuk kanë pasur komunikim të mirëfilltë, ngase në atë vend ka mbi 4000 dhen që transportin e mallrave e kanë bërë me kuaj dhe me kërkesë të vet blegtorëve ne arritëm që ta inkorporojmë në program dhe ky program kaloi edhe në qeveri. Me një fjalë, janë respektuar të gjitha procedurat dhe rruga është hapur. Rruga do të sjell benefitin e vet ekonomik që të ketë zhvillim blegtoria dhe me këtë edhe biodiveristeti do të zhvillohet”, thotë ai.
Sipas tyre, me hapjen e rrugës nuk janë bërë dëmtime, sepse ajo rrugë ka qenë vetëm për transport me kuaj, ndërsa tash është hapur një rrugë rreth tre metra. Arsyetimi është se pikërisht mos hapja e rrugëve dhe vështirësitë për qasje më të lehtë të blegtorëve në kullosat, kanë bërë që të bie interesimi për të pasur më shumë blegtorë në këtë rajon. Madje, sipas drejtorit Fejzullau, dukshëm është ulur numri i dhenve viteve të fundit. “Maqedonia para disa viteve ka pasur 2 milionë kokë dhen, tash ka rreth 500 mijë. Pra, kemi rënie drastike të numrit të tyre. Kjo është për shkak se nuk ka kushte për t’u zhvilluar blegtoria. Një ndër kushtet është edhe infrastruktura rrugore. Me përmirësimin e infrastrukturës, automatikisht do të zmadhojnë numrin e dhenve, sepse do të motivojmë barinjtë e rinj për t’u marrë me blegtori, sepse në atë pjesë të kullotave ku ka më shumë dhen edhe kullosat mirëmbahen. Rruga sjell shumë përparësi, sepse në atë pjesë ku qëndrojnë dhe lëvizin blegtorët nuk ka shkurre, nuk ka thera që nuk janë autoktone të atij vendi”, deklaroi për KOHA, Fejzullai. Përndryshe, Leshnica është një ndër vendet më të njohura të Malit dhe kjo hapësirë nga shumë ekspertë është rekomanduar që në periudhën e ardhshme të shpallet si zonë rreptësisht e ndaluar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.