Urim HASIPI
Tetovë, 19 gusht – Rruga që kalon përskaj Sektorit për Punë të Brendshme, arkivit të Tetovës dhe shkollës fillore Istikball, me muaj të tërë është duke u rregulluar, por assesi të përfundojë. Punimet filluan këtë pranverë kur edhe tërë kjo rrugë iu nënshtrua riskostruimit, shkruan gazeta KOHA. Kjo ka bërë që përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të realizojnë një takim me përfaqësues të Komunës së Tetovës lidhur me vonesat. “Ka një kohë të gjatë që punët kanë filluar dhe nuk janë përfunduar për ndërtimin e kësaj rruge dhe kjo ka shkaktuar shumë telashe për qarkullimin në këtë rrugë, sidomos gjatë lëvizjes së përditshme të automjeteve të Policisë së Tetovës. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja që është kërkuar nga Komuna e Tetovës sqarim për vonesat rreth ndërtimit të kësaj rruge”, kanë thënë nga Policia e Tetovës. Nga Komuna e Tetovës shkurtimisht kanë thënë se këtyre ditëve do të rifillojnë punët përgatitore për asfaltimin e kësaj rruge. “Javën e ardhshme do të asfaltohet pranë Sektorit për Punë të Brendshme, kurse gjatë vikendit do të startojnë punët përgatitore para asfaltimit”, kanë thënë shkurt nga komuna e Tetovës, duke mos dhënë detaje për vonesat. Jozyrtarisht nga Policia e Tetovës thonë se Komuna e Tetovës ka kërkuar zgjerimin e rrugës në këtë pjesë, por kjo është kundërshtuar nga ana e policisë dhe kjo ka bërë që këto vonesa gjatë realizimit të punëve, por këtë informatë nuk e kanë konfirmuar nga Komuna e Tetovës. Në ndërkohë në këtë pjesë të qytetit të Tetovës tashmë një kohë të gjatë nuk është duke u punuar në ndërtimin e Urës së Kazazëve, ndërsa punët kishin filluar në fund të vitit të kaluar. Ndonëse atëherë ishte paralajmëruar se punët do të përfundojnë brenda dy muajve, tash më kanë kaluar më shumë se nëntë muaj dhe ura nuk është përfunduar. Lidhur me këtë poashtu nga Komuna e Tetovës sërish kanë dhënë premtime se brenda një afati të shkurtër do të vendosen këmbët e urës. Ndryshe, nga Komuna e Tetovës gjatë muajit maj është njoftuar se me lëshimin në përdorim të kësaj Ure, dukshëm do të përmirësohet qarkullimi i automjeteve dhe do të lehtësohet komunikacioni në rrugët përreth, sidomos në pjesën e Çarshisë së Epërme për tek Sektori për Punë të Brendshme, Arkivi i qytetit dhe shkolla fillore Istikball. Punët filluan në muajin tetor dhe ura e vjetër me konstruksion prej metali është dislokuar. Ura e Kazazëve është një nga monumentet e trashëgimisë nga e kaluara. Kjo urë është ndërtuar në shekullin e 16-të dhe e rrënuar në vitin 1979 gjatë vërshimeve në Tetovë. E njëjta është ndërtuar nga Kazazët apo shtresa e Kazazëve, të cilët në kohën e Perandorisë osmane kanë qenë punëtorë teknik të ushtrisë osmane, prandaj edhe është thirrur Ura e Kazazëve. E njëjta është rrënuar në vitin 1979 për, siç është thënë, të penguar vërshimin e qytetit nga ujërat e Lumit Shkumbin. Përderisa nuk përfundojnë punët në rrugën e Policisë së Tetovës dhe Urës së Kazazëve, qarkullimi edhe me automjete por edhe në këmbë është dukshëm i vështirësuar tashmë një kohë të gjatë. (koha.mk)