Tetë muaj para zgjedhjeve federale në Gjermani, popullariteti i kancelares Angela Merkel është në linjë të epërme, ndërsa bashkëpunëtorët e saj, me dozë të vogël shakaje, sqarojnë se për këtë ka ndikim edhe “faktori Tramp”. Këshilltarët e Angela Merkelit konsiderojnë se për kërcimin e popullaritetit, i cili dimrin e kaluar gjatë kulmit të krizës migruese, ka qenë në pikën më të ulët të mundshme, ajo tani në një pjesë duhet t’i falënderohet presidentit të ri amerikan, transmeton “Zëri i Amerikës”.
Anketa e organizatës “Forshungsgrupe Vahlen” e përllogarit nivelin e miratimit për Merkelin tani tek 74 për qind, që është shumë më lart nga ai i homologëve të saj evropianë. Niveli i miratimit për presidentin Donald Tramp në Shtetet e Bashkuara qëndron 42 për qind sipas anketës së fundit të organizatës Gallup. Tramp dhe ndihmësit e tij nuk kanë ngurruar të kritikojnë kanceleren gjermane. Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Tramp kritikoi në mënyrë të përsëritur Merkelin për pranimin në Gjermani të refugjatëve të luftës nga vendet e Lindjes së Mesme, duke e fajësuar për atë që tha se ishte shkatërrimi i vendit, megjithëse ndonjëherë tërhiqej dhe e cilësonte atë si një nga udhëheqësit e tij të preferuar botërorë.
Një vit më parë, Tramp parashikoi se “populli gjerman do ta rrëzojë nga pushteti këtë grua. Nuk e di se çfarë ka ajo në mendje”. Në një intervistë në mars të vitit 2016 për gazetën “Nju-Jork Tajms” ai tha, “Gjermania po shkatërrohet. Kam miq nga Gjermania që nuk duan të kthehen. Gjermania po shkatërrohet nga naiviteti i Merkelit”. Disa ditë para inaugurimit të tij këtë muaj, Trump i tha gazetës “Tajms të Londrës dhe Bild të Gjermanisë se vendimi i Merkelit për të lejuar më shumë se një milion imigrantë në Gjermani ka qenë “një gabim katastrofal”. Pikëpamjet e tij pasqyrojnë linjën redaksionale të faqes elektronike Breitbart News, që deri kohët e fundit drejtohej nga një prej këshilltarët kryesorë të Tramp, Stiv Banon.
Parashikimet për rrëzimin e saj të afërt megjithatë duket se kanë pasur një efekt të kundërt në Gjermani. Sipas anketave të fundit, gati 60 për qind e gjermanëve, mendojnë tani se vendi mund ta përballojë valën e refugjatëve. Kjo mund të jetë pjesërisht për shkak se numri i refugjatëve ka rënë nga 890 mijë në vitin 2015 në 280 mijë vitin e kaluar. “Shoku fillestar i ndikimit të refugjatëve ka filluar të bjerë”, tha për Zërin e Amerikës një këshilltar i Merkelit. Ndërsa ajo fillon fushatën zgjedhore me shpresën për të siguruar një mandat të katërt si kancelare, Merkel dhe këshilltarët e saj po e përdorin tashmë Trampin, megjithëse kancelarja vetë nuk është angazhuar në sulme të drejtpërdrejta ndaj Trampit, duke ia lënë sulmet më të mprehta anëtarëve të tjerë të qeverisë gjermane.
Këshilltarët e Merkelit theksojnë se niveli i miratimit për të ka vazhduar të rritet që nga votimi i britanikëve qershorit e kaluar për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Pak ditë pas votimit britanik, i njohur si Breksit, popullariteti i zonjës Merkel u rrit me 9 për qind, sipas një ankete të organizuar nga televizioni gjerman ARD, duke shënuar nivelin më të lartë që nga shtatori i një viti më parë, kur shifrat ranë ndjeshëm dhe në Berlin u përhap bindja se kancelarja po i afrohej shpejt një fundi politik.
Analistët thonë se shpjegimi më i mirë për këtë rritje të popullaritetit janë shenjat e rritjes së mbështetjes në mesin e vendeve të Evropës Perëndimore për Bashkimin Evropian mes frikës së paqëndrueshmërisë. Evropianët e shohin largimin nga grupi si një “rrezik të madh”, tha Merkel vitin e kaluar. “Askush nuk do ta vendosë veten në atë lloj ngatërrese si britanikët,” shtoi kancelarja.