Patriot LUMANI
Strugë, 10 shkurt – Kriza e tejzgjatur ekonomike që po mbretëron prej kohësh në vend, ka dhënë sinjalet e saj edhe në Strugë, ku familje të tëra në pamundësi të mjeteve financiare për të siguruar produktet elementare ushqimore, po shndërrohen në borxhli të përhershëm në shitoret dhe marketet e Strugës, shkruan gazeta KOHA. Marrja me listë e ushqimeve elementare, si mielli, vaji, kripa dhe sheqeri, nga shumë qytetarë struganë, shpjegohet me krizën e zgjatur ekonomike, të cilës nuk po i duket fundi, e cila nga dita në ditë po shton radhët e familjeve që përfundojnë në limitet e mbijetesës sociale. Kjo dukuri, e cila po masivizohet kohëve të fundit, konfirmohet edhe nga punonjësit e marketeve dhe shitoreve të shumta, të cilët tregojnë se në masë marrja e produkteve elementare me listë, është bërë mbizotëruese dhe është rënduar veçanërisht gjatë dy viteve të fundit.
Ndërkohë, këtë fenomen biznesmeni Lavdërim Gega, pronar i depos me shumicë “Ge-Ga” dhe një supermarketi në qytetin e Strugës, në një prononcim për gazetën KOHA,thekson se ka raste të kësaj natyre kur në pamundësi të mjeteve kërkojnë kohë për likuidimin financiar të produkteve që i marrin. Gjithashtu, ai shton se kësaj gjendje të rënduar financiare te disa kategori sociale në qytet i ka kontribuar edhe masivizimi i lojërave të fatit, ves i cili ka rezultuar me pasoja, vështirësi të shumta për shumë familje në rrethin e Strugës.
“Kemi klientë që në pamundësi të pagimit të mallit kërkojnë mirëkuptim që pagesën ta bëjnë në një kohë tjetër. Ndërkohë, fenomeni që shumë familje në Strugë i ka sjellë në zgrip të ekzistencës ndodh atëherë kur një anëtarë i familjes bëhet i varur nga lojërat e fatit dhe raste të kësaj natyre janë shtuar shumë”, përfundon ai.
Numri i struganëve që shfrytëzojnë ndihmën sociale ka ardhur duke u zbritur jo se gjendja sociale e tyre është përmirësuar, por një pjesë janë larguar nga vendi, ndërsa një pjesë tjetër e kanë humbur këtë të drejtë për arsye të ndryshme, si nga mosnjohja e procedurave ashtu dhe ngurtësia e ligjit. Sipas të dhënave të siguruar nga Qendra për mbrojtje sociale në Strugë, pas riaplikimit të fundvitit ka rezultuar se ka një ulje të lehtë të atyre që shfrytëzojnë ndihmë sociale nga shteti, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në Strugë aktualisht ndihmën sociale e shfrytëzojnë 340 familje, rreth 20-30 më pak se vitin e kaluar, gjithashtu po me këtë ritëm është edhe ulja te personat që shfrytëzojnë vakte ushqyese në mensën e qytetit ku nga 80 persona sivjet janë regjistruar 60 të tillë.
Vegim Nura, drejtor i këtij institucioni, për gazetën KOHA pati deklaruar para disa ditëve se të gjithë ata që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga ligji do e fitojnë të drejtën e ndihmës së garantuar nga shteti, duke sqaruar se tashmë është një sistem i tërë komunikimi ndërmjet disa institucioneve, që nëpërmjet komunikimit intern japin të dhëna për gjendjen financiare te aplikantit. Ka ndodhur, sipas tij, që dikush ka humbur ndihmën sociale, sepse ka fituar në lojëra fati apo ka siguruar një të ardhur shtesë në forma të tjera. Se realiteti te disa fatkeq për sigurimin e ekzistencës, është një histori e dhimbshme dhe me plot vështirësi, kjo nuk është diçka e re, njerëz që janë në limitet e mbijetesës detyrohen të presin ndihmën e shtetit, në mënyrë që të shtyn kohën me shpresën se një ditë do të bëhet mirë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.