Afërsisht 100 persona dje janë lënduar në përleshjet e reja ndërmjet demonstruesve antiqeveritarë dhe policisë në kryeqytetin venezuelas, Karakas, kumtoi deputeti opozitar Huan Rekesens, cituar nga DPA. Deputeti deklaroi se policët i sulmuan dhe plaçkitën demonstruesit. Disa gazetarë, gjithashtu, ishin sulmuar.
Së paku 65 persona janë vrarë, pasi që në prill shpërthyen protestat kundër politikës së Qeverisë socialiste të presidentit Nikollas Maduro. Vendi gjendet përballë krizës më serioze ekonomike prej vitit 2014, kur rënia e çmimeve të naftës i uli të ardhurat nga eksporti i saj, në të cilin mbështetet Venezuela. Presidenti bolivian, Evo Morales në Santa Kruz deklaroi se në Venezuelë po bëhet grusht shtet opozitar, mbështetur nga SHBA-ja. Sipas Morales, Uashingtoni e mbështet opozitën, sepse dëshiron të sigurojë kontroll ndaj rezervave të naftës në vend.