Adem XHELADINI
Kërçovë, 5 prill – Te ura që lidh qendrën e qytetit të Kërçovës me lagjen e “Udhës së Reshtanit”, dhe vendbanimin e lagjes nën Krushinë, e cila vlente si grykë e ngufatjes së komunikacionit, pasi qarkullimi zhvillohej vetëm në një korsi në të dy drejtimet, ndërkohë që shikueshmëria ishte nën çdo nivel të parametrave, ka filluar ngritja dhe betonimi i brigjeve të lumit Sushica, me çka një problem i kamotshëm disa dekadash do të kalojë në histori, shkruan gazeta KOHA. Kësisoj, kalimi nën urën e magjistrales Kërçovë-Gostivar dhe urës së trenit Kërçovë-Shkup, së shpejti do të marrin pamje të re. Përndryshe, ka vite që komunikacioni nën këtë urë, edhe pse përfundi saj ndodhen tre harqe, komunikacioni është zhvilluar vetëm në një korsi në të dy drejtimet, ku harku i mesëm i urës është shfrytëzuar për kalimin e lumit Sushica, ndërkohë që harku i tretë, ishte sinonim i një deponie të egër, ku hidhej gjithçka e mundshme, ndërsa komunikacioni zhvillohej në kushte të vështira, dhe me siguri të rrezikuar.
Sipas Zenel Jonuzit, drejtor në NP “Komunaleci” të Kërçovës, e cila është edhe realizuese e këtij projekti të shumëpritur të qytetarëve, “me mjete të siguruara nga Komun e Kërçovës, ka nisur ndërtimi edhe i korsisë së dytë nën “Urën e Reshtanit”, e cila ndodhet përfundi magjistrales Kërçovë-Gostivar. Ky projekt i madh do të zhvillohet në dy faza, ndërkohë që pas fazës së parë do të bëhet zhvendosja e lumit Sushica nga shtrati i tanishëm dhe pas kësaj do të ndërtohet edhe korsia e dytë. Gjatë këtyre ditëve jemi duke bërë betonimin e shtratit të ri të lumit, dhe pas kësaj te rrjedha e tanishme do të ndërtohet edhe korsia e dytë, e cila ndërhyrje do të kryhet në afat prej dy muajsh, apo thënë më saktë deri në përfundim të majit, pas çka edhe do të futet në veprim edhe operativa e ndërtimit, e cila do të ndërtojë edhe korsinë e dytë”. Sipas Jonuzit, ”përgjatë shtegut të njëjtë do të vendosen edhe gypa të ri të ujësjellësit me kapacitet prej F400, me gjatësi prej 350 metrash, e cila do të arrijë shumën prej përmbi 40 000 eurosh, ndërkohë që do të ndërtohet edhe një unazë e re, me çka do të arrihet siguri më e madhe në komunikacion si për automjetet, po ashtu edhe për këmbësorët e lagjes Udha e Reshtanit”, në të cilën jetojnë rreth 3000 banorë”. Përndryshe, ky nënkalim përfundi urës së magjistrales dhe hekurudhës, për një kohë të gjatë ka qenë “zorra qorre” për zhvillim normal të komunikacionit, ndërkohë që ndërtimi i shtratit të lumit, përpos që do të ndikojë në pamje më të bukur të kësaj lagjeje, hapja edhe e shtegut të dytë, në masë të madhe do të çlirojë komunikacionin edhe ashtu të rënduar të këtyre vendbanimeve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara