Nesër në Maqedoni do të mbërrijnë 15 policë sllovakë të cilët do t’i zëvendësojnë kolegët e tyre në kufirin Maqedoni-Greqi afër Gjevgjelisë. Ky është rotacioni i tetë i pjesëtarëve të policisë së Republikës së Sllovakisë.
“Njësiti nga 15 policë sllovakë do të zbatojë aktivitete të përbashkëta patrulluese me kolegët nga Maqedonia në kufirin shtetëror me Greqinë, me qëllim të parandalimit në sferën e sigurisë publike dhe kalimit të paautorizuar të kufirit shtetëror. Njësiti policor sllovak do të sistemohet në rajonin e Gjevgjelisë”, qëndron në kumtesën nga Ambasada e Republikës së Sllovakisë. Policët do të pajisen në mënyrë adekuate – me automjete motorike terreni, kamera termale dhe pajisje për të shikuar në mbrëmje. Mandati i misionit policor sllovak do të jetë 30 ditë me mundësi për vazhdim. Republika e Sllovakisë nga marsi i vitit 2016 dërgoi në vend gjithsej 190 nëpunës policorë.