Të martën, Bayern München zyrtarizoi rinovimin e kontratës së sulmuesit Robert Lewandowski deri në vitin 2021 dhe aktualisht klubi bavarez ka tetë lojtarë me kontratë edhe për pesë vite të tjera. Rinovimet në Mynih, ndërkohë, nuk mbyllen me kaq. Siç njofton revista gjermane “Sport Bild”, rekordmenët po planifikojnë të mbajnë më gjatë veteranin Xabi Alonso. Ai është një ndër lojtarët më të vjetër të kampionëve të Gjermanisë, por ende konsiderohet i rëndësishëm nga trajneri Carlo Ancelotti. Për këtë arsye, Uli Hoeness ka vendosur që t’i propozojë një kontratë të re 35-vjeçarit. Me firmën e fundit Alonso është i lidhur deri në qershorin e ardhshëm me bavarezët, kështu që pritet që të luajë edhe për një sezon tjetër në “Allianz Arena”. Ndërkohë, duke marrë parasysh moshën dhe rënien fizike të tij, klubi pritet t’i ulë pagën. Aktualisht spanjolli paguhet rreth 6,5 milionë euro në vit. “Sport Bild” shton se në një nga javët e ardhshme Bayern München do t’u prezantojë kushtet e tyre këshilltarëve të lojtarit.