Zejnulla VESELI
Shkup, 31 maj – Kriza e stërzgjatur politike mori haraçin tatimor, i cili rezultoi me uljen Bruto Prodhimit Vendor (BPV) për vitin 2017 dhe njëherësh në mënyrë plotësuese mund të ulë edhe më shumë BPV-në nëse së shpejti nuk formohet Qeveria e re dhe vazhdohet me bllokadat në të cilat gjenden institucionet shtetërore për shkak të jostabilitetit politik në të cilën ende gjendet Maqedonia. Kështu tregon raporti i fundit i Bankës Popullore te Maqedonisë (BPM) ku thuhet se mos investimet e reja nga ana e kompanive vendore si shkak i krizës politike, i zvogëloi pritjet e Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM), për rritjen ekonomike këtë vit. Prandaj në vend që investimet bruto të rriten për 4 për qind ata do të përfundojnë nën zero dhe do të jenë minus 1.3 për qind thuhet ne raport. Shkaku i krizës politike këtë vit ekonomia në vend të 3.5 për qind të planifikuara do të rritet vetëm 2.5 për qind deh nëse duam që ky parashikim të realizohet, do të duhet të rritet eksporti dhe shpenzimi personal i qytetarëve. “Nëse para dhjetë viteve më shumë se 60 për qind e eksportit ishte tekstil dhe metale, tani pjesëmarrja e tyre në eksportin total është rreth 30 për qind ndërsa kemi rritje të madhe të pjesëmarrjes në eksportin total të makinerive, pajisjeve të transportit dhe prodhimeve kimike, që tashmë arrin në 50 për qind të eksportit total”,thuhet në raportin e fundit te BPM-së. Njëherit në raport potencohet se gjendja aktuale politike akoma nuk garanton stabilitet të mjaftueshëm që ta nxisë rritjen ekonomike. “Ne jemi në gjysmë të vitit dhe jostabiliteti politik ende është prezent në këtë periudhë. Në periudhën në vijim ka mundësi të shohim ulje graduale të jostabilitetit politik, por e gjithë ajo është shumë e pasigurt. Dy vitet e kaluara kishim qeveri politike por nuk kishim stabilitet politik. Neve na duhet stabilitet politik dhe zvogëlim i pasigurisë”, thuhet në raport, transmeton gazeta KOHA. Sipas ekspertëve ekonomik kriza politike e stërzgjatur ka bërë që disa herë të revidohet rritja ekonomike në Maqedoni dhe përveç që ka sjellë efekte negative për projektimet makroekonomike, vazhdimi eventual i krizës politike edhe më shumë mund të ngadalëson rritjen e BPV-së. “ Kriza politike ende është dominante dhe rrezikon realizmin e planifikime për rritje ekonomike. Nëse kriza politike ende vazhdon dhe më tej kemi paqartësi për politikat e ardhshme ekonomike për një periudhë të gjatë është e mundur që parametrat e planifikuar për rritje të BPV-së të jetë më të ulta se sa ishin të planifikuar në fillim të këtij viti”, thotë për KOHA, Tome Nenovski, ish-guvernator i BPM-së. Edhe profesori universitar Marjan Petreski shprehet se ekonomia vendore tre vitet e fundit ka qenë në ndikim të madh të krizës politike e cila dukshëm është reflektuar negativisht sa i përket investimeve të reja nga ana e kompanive vendore por edhe të huaja.”Rritja e ulët e ekonomisë do të shkaktojë probleme për qeverinë e re. Do ta minimizojë mundësinë e huamarrjeve të reja. Prandaj dhe revidimi i shkallës së rritje së BDP-së nga 3.5 për qind sa parashihej ne fillim të këtij viti të ulët në 2.5 për qind është si pasojë e situatës së rëndë politike e cila edhe më tej ushtron trysni të madhe ndaj komunitetit të biznesit privat që të merr hapa sa i përket investimeve të reja”, thotë Petreski. Gjithashtu në raportin e BMP-së thuhet se në vitin 2015 dhe 2016 si pasojë e krizës politike bëri që në muajin prill të viti 2016 të kemi eskalim të situatës sa i përket stabilitetit të kursit devizor në sistemin bankar në Maqedoni. “Pasojat ishin të mëdha sidomos në tregun e këmbimit të valutave ku një pjesë e madhe e qytetarëve filluan të tërheqin devizat e tyre dhe kursimet në denarë t’i kthejnë në valuta të huaja”, thuhet në raport. Njëherësh në raport thuhet se në kuartalin e parë të këtij viti, sa i përket këmbimit tregtar të jashtëm, kemi rritje të importit kundrejt eksportit që është në kundërshtim me parashikimet për e zvogëlimin e deficitit tregtar dhe kështu në tre mujorin e parë të këtij të kemi rritje të deficit tregtar nga ajo që ishte planifikuar për kuartalin e parë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara