Evis HALILI
Shkup, 8 maj – Procesi i revalorizimit të objekteve të trashëgimisë duhet të mbyllet në fund të këtij viti. Por, në Qendrën Nacionale të Konservimit, aty ku prej dy vjetësh ekspertët janë duke u marrë me përpilimin e listës së objekteve dhe lokaliteteve arkeologjike, pohojnë se afati i vendosur vështirë se do të respektohet, shkruan gazeta KOHA. Revalorizimi po bëhet gjithnjë e më i komplikuar jo vetëm për mënyrën e kategorizimit të objekteve, por edhe për atë se çfarë do të revalorizohet. Drejtori i QNK, Memet Selmani, përveç numrit të vogël të ekspertëve të kësaj fushe, thotë se më problematike janë lokalitetet arkeologjike, sidomos ato të cilat janë piketuar si të tilla, gjithsej 28, por pa e ditur se cilës kategori duhet t’i përkasin. Të tilla lokalitete, pjesë e kësaj liste, janë sidomos ato që gjenden në pjesën perëndimore të vendit.
“Para së gjithash qendra ballafaqohet me problem bazik, mungesën e kuadrove, kemi shumë pak arkitektë, konservatorë, e të tjerë dhe nuk besoj se ky proces do të përfundojë brenda afatit që na është dhënë. Po ashtu, edhe vetë mënyra sesi do të bëhet kategorizimi është e komplikuar. Në vend se të ndiqet praktika e vendeve të tjera, ku ndarja në kategori është e pastër, tek ne me ndryshimet e fundit ligjore ndarja bëhet në dy kategori kryesore dhe të dyja këto ndahen në më shumë nënkategori”, thotë për KOHA, Selmani.
Lokalitetet arkeologjike janë një problem më vete, pasi janë të evidentuara, iu është dhënë një numër dhe kaq. Si të tilla janë kalaja në Raven, Bjellovishtë (Gostivar), lokaliteti në Orashë (Tetovë), Pallatishta, Gradishta e të tjera. Dhe në QNK nuk dinë as se ku t’i përcaktojmë kufijtë, por as se deri ku shtrihet ai lokalitet që do të duhet ta mbrojnë. Si shembull merret kalaja e Tetovës, ku pas gërmimeve të disa viteve më parë puna u ndërpre, pa u bërë studimi i duhur, madje nuk disponohet me të dhëna se as deri ku shkojnë themelet e saj. “Jo vetëm për kalanë e Tetovës që nuk kemi të dhëna dhe për mendimin tim gërmimet atje duhet të vazhdojnë, problem do të jenë edhe zona të tjera arkeologjike në vendbanimet shqiptare, që janë vetëm të evidentuara. Çfarë mund të bëhet atje? Lokalitetet arkeologjike as që duhet të futen në listë për t’u kategorizuar pa e ditur më parë se çfarë të dhënash kemi. Me futjen e një sonde, apo gjetjen e një qeramike nuk mund të bëhet valorizimi”, thotë Selmani.
Procesi i revalorizimit të objekteve të trashëgimisë dhe lokaliteteve arkeologjike i është ngarkuar QNK nga Drejtoria e Mbrojtjes së Monumenteve, për gjithsej 163 objekte dhe 28 lokalitete në 37 komuna të vendit. Me revalorizimin bëhet jo vetëm klasifikimi nëpër kategori i tyre, sipas rëndësisë që kanë, por edhe mbrojtja nga shteti. Po ashtu ky proces i nevojitet edhe komunave, në mungesë të cilit nuk mund të hartohen as planet e detajuara urbanistike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara