Reali thyen merkaton, 135 milionë euro për Mbappe

Real Madrid është i gatshëm për të thyer merkaton e futbollit me Kylian Mbappé. Florentino Perez pritet t’i ofrojë 135 milionë euro Monakos për nënshkrimin e Mbappé, sipas “Radio Monte Karlo” (RMC). Presidenti i “Los Blancos” e dëshiron sulmuesin e ri francez në radhët e të tijve, duke nisur nga sezoni 2017-2018. Pra, nuk ka më dyshime, Mbappé, talenti i ri i Monakos, është bërë një nga prioritetet kryesore të Real Madridit, kampionit të freskët të Ligës së Kampionëve.

Klubi mbretëror madrilen dëshiron që të vazhdojë të investojë në talentet e rinj për të ardhmen dhe cili më mirë e përfaqëson këtë rrymë, se Kylian Mbappé. Prandaj, Real Madridi është i gatshëm për ta thyer merkaton e futbollit me një ofertë rekord. Siç është raportuar nga Radio Monte Karlo (RMC), pasi ka hedhur në tavolinë dy ofertat e para; 100 milionë euro dhe 115 milionë euro, Florentino Perez ka vendosur të ofrojë tashmë 135 milionë euro. Ky është një angazhim shumë i fortë për Mbappé, që, në mesin e objektivave të tjera, synon të luajë me Francën në Kupën e Botës 2018.