Kampionët e Europës në fuqi, Real Madrid, do të nisin rrugën drejt trofeut të Botërorit për Klube kur të luajnë sot (11:30) në gjysmëfinalen kundër skuadrës meksikane të Club America në Japoni. Fituesi i kësaj përballje do të sigurojë një vend në finale ku do të përballet me japonezët e Kashima Antlers, që kanë befasuar kolumbianët e Atletico Nacional, duke i mundur dje me rezultatin 3-0. Real Madrid e ka fituar Botërorin për Klube për herë të parë në 2014-ën dhe “Los Blancos” do të kërkojnë ta pasurojnë koleksionin e tyre të trofeve. Club America ka mundur ekipin koreano-jugor të Jeanbuk Hyundai 2-1 në çerekfinalen e këtij kompeticioni dhe të kërkojë të befasojë kampionët e Europës. Kjo do të jetë përballja e parë mes këtyre dy klubeve. Real Madrid është një nga klubet më të mëdha të historisë së futbollit, por meksikanët nuk do të kenë asgjë për të humbur në këtë ndeshje. E vetmja mungesë për Club America do të jetë Paul Aguilar, i cili nuk mund të luajë për shkak të një dëmtimi në ligamentet e gjurit. Sulmuesi Silvio Romero, i cili ka shënuar dy herë për ekipin e tij në çerekfinale, mund të jetë kërcënimi numër një i mbrojtjes spanjolle. Skuadra e Zidane, nga ana tjetër, nuk ka pasur shumë fat me dëmtimet, duke parë se Gareth Bale është ndalur para dy javësh dhe pritet të mungojë për katër muajt e ardhshëm. Yjet e tjerë të ekipit, Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Luka Modric janë lënë pushim në ndeshjen e fundit të kampionati të luajtur dhe fituar kundër Deportivo La Corunas. Meksikanët do të paraqiten në këtë ndeshje me vetëm një humbje të pësuar në 16 takimet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticonet. Por madrilenët janë të pamposhtur në 35 ndeshje radhazi të luajtura në të gjitha kompeticionet. Në fakt, skuadra e Zidane nuk e ka provuar akoma shijen e humbjes në këtë sezon.