Në “Santiago Bernabeu”, kampionët e Evropës do të kërkojnë me çdo kusht fitoren kundër Borussia Dortmund-it, aktualisht e pozicionuar në vendin e parë me dy pikë më shumë. Pasi pranoi se gjendja aktuale e kolumbianit është një problem, trajneri i madrilenëve, Zinedine Zidane, ka vendosur t’i japë një mundësi mesfushorit, të cilin e ka parë gjithnjë të përqendruar në stërvitje.Meqë James po vuan shumë për të fituar minuta te “Los Blancos”, së fundmi ka pasur shumë spekulime për një largim të mundshëm të tij, madje që në merkaton e janarit, por tekniku francez – sipas asaj që shkruan “Marca” – do të provojë deri në fund të bindë veten dhe lojtarin se bashkëpunimi i tyre duhet të vazhdojë. Ndërkohë, përfshirja e 25-vjeçarit në 11-shin e “Galaktikëve” do t’i prishë punë shokut të tij të skuadrës, Isco, i cili do të detyrohet ta shohë ndeshjen nga stoli. Kjo, sepse Zidane nuk e sheh ekipin të qëndrueshëm në mbrojtje me të dy këta mesfushorë nga minuta e parë.