Pas lajmit për arrestimin dhe vendimit për ekstradim të tifozit shqiptar dhe autorit të Dronit në Beograd, Ismail Morina i njohur si Ballisti nga gjykata e Dubrovnikut, kanë reaguar shumë shtetas të Kroacisë në profilet e tyre në Facebook. Sipas tyre, një pjesë e gjykatës kroate ende dëgjon urdhrat e Beogradit për vendimet e marra. Njëri prej më të zëshmëve është kroati Velimir Bujanac. “Nuk e japim Ismail Morinën! Porosi drejtësisë “kroate”: Arrestoni çetnikët, mos i prekni miqtë tanë! Gjykata e Dubrovnikut sërish ka treguar shprehjen se gjyqësia “kroate” është jashtëzakonisht mashtruese. Paramendoni, gjykata në Dubrovnik ka miratuar ekstradimin në Serbi të heroit të ri shqiptar Ismail Morina, i cili dyshohet se gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri në vitin 2014 mbi stadiumin e klubit me emër të tmerrshëm “Partizan”, ka lëshuar me dron flamurin historik shqiptar. Në vend që autoritet kroate të arrestojnë çetnikët për shkak të krimeve ndaj kroatëve dhe shqiptarëve, “ne” tani ndjekim një tifoz të ri për shkak të gjestit të të cilit të gjithë duhet të jemi krenarë. Turpërohu Kroaci, turpërohu Dubrovnik me të vërtetë keni bërë një vepër të këtillë të pavlerë! Ne e dimë se shumica në vendin tonë ende dëgjojnë urdhra nga Beogradi, dhe tani ja një konfirmim konkret. Të nderuar miq shqiptarë, ky nuk është qëndrim i shumicës së kroatëve, ky është një vendim i turpshëm i gjyqësorit, të cilin edhe ashtu shumicën e përbëjnë të ATYRE dhe jo tanët. Mesazh familjes së nderuar Morina dhe të gjithë shqiptarëve në Kroaci, Kosovë dhe Shqipëri si dhe për vet Ismailin: Thirr, vetëm thirr! P. S. Për Ismail Morinën kemi vetëm një vërejtje, që në dronin mbi Beograd nuk ka lëshuar edhe flamurin e Kroacisë!”, shkruan në postimin e tij Velimir Bujanac.