RDM kumtoi se pas referendumit në Gjevgjeli në të cilin qytetarët u prononcuan kundër ndërtimit të minierës në Kozhuf, obligim moral është edhe i institucioneve të tjera në nivel lokal dhe nacional të bëjnë rishikimin e planeve të deritanishme për zhvillimin e xehetarisë në këtë zonë.
“Ky është obligim serioz për shtetin që në tërësi të bëjë rishikim të strategjive afatgjate për zhvillim ekonomik, në të cilat duhet të mënjanohen industritë ndotëse ose të përshtaten standardet ekologjike ndaj standardeve për jetesë të shëndetshme. Duhet t’i nënshtrohen rishikimit të studimeve për vlerësimin e ndikimit ndaj mjedisit jetësor për hapjen e minierës për bakër Kazandoll në Vallandovë si dhe minierës për arë Ilovica, në Strumicë”, thuhet në kumtesën e RDM-së.
Shtojnë se shteti duhet maksimalisht t’i përkushtohet dhe të investojë në ekonominë e gjelbër dhe teknologjitë e pastra, të cilat, siç potencojnë, do të hapin mijëra vende të reja pune. “Prodhimi organik, turizmi, energjitë ripërtëritëse, efikasiteti energjetik, trajtimi i mbeturinave, sigurimi i ajrit të pastër, ujërave dhe tokave, si dhe teknologjitë e mençura, kjo është e ardhmja e shëndetshme e Maqedonisë”, theksojnë nga RDM.