Urim HASIPI
Tetovë, 10 prill – Fenomeni i sjelljes së qenve endacak nga Shkupi dhe qytete tjera të Maqedonisë lindore, vazhdon të përsëritet pas shumë vitesh në rajonin e Pollogut. Nëse para disa vitesh qentë silleshin dhe zbarkoheshin në qytetin e Tetovës, muajve të fundit kjo dukuri vërehet në komunat tjera të Pollogut, respektivisht kësaj radhe strehe për këta qen që sillen nga jashtë, janë vendbanimet e Komunës së Tearcës, shkruan gazeta KOHA. Kësisoj, prania e madhe e qenve endacak në rrugët e fshatrave të Komunës Tearcës, vazhdon të shqetësojë banorët e këtyre vendbanimeve, të cilët për çdo ditë rrezikohen nga kafshimi që mund të bartë sëmundje nga më të ndryshmet, pasi që këta qen janë të pa vaksinuar dhe qëndrojnë afër deponive të ndryshme, që si pasojë paraqesin rrezik potencial për këto banorë, shprehen nga bashkësia lokale e fshatit Tearcë.
Banorët e disa fshatrave të Komunës Tearcës shprehen të shqetësuar, sidomos për fëmijët e tyre të cilët për shkak të pasigurisë duhet që t’i shoqërojnë për çdo ditë për në shkollë, njëherit këta banorë të revoltuar apelojnë deri tek organet kompetente që të ndërmarrin masa për trajtimin e kësaj problematike. Duke marrë parasysh rrezikun e vazhdueshëm që ju kanoset qytetarëve të Tearcës për çdo ditë, Muharem Osmani, kryetarë i Bashkësisë Lokale të fshatit Tearcë, thotë se këtë situatë me qentë endacak e ka paraqitur në organet kompetente, mirëpo deri më sot nuk janë ndërmarrë masa. Ai, madje shton se në një rast ka qenë vet dëshmitarë se këta qen në mënyrë të organizuar sillen nga qytete të tjera të Maqedonisë, sidomos nga Shkupi.
“Me iniciativë të bashkësive lokale të fshatrave Tearcë, Sllatinë, Përshefcë dhe Gllogjë, kemi parashtruar kërkesë deri tek inspektorati komunal i Komunës së Tearcës si dhe stacioni policor në Tearcë që të parandalojnë këtë dukuri, ku sillen qen endacak nga vendbanime jashtë komunës tonë nga persona të pandërgjegjshëm apo institucione ende të panjohura deri tash. Ne si fshatra të kësaj komune jemi të shqetësuar me këtë fenomen dhe kërkojmë që me këtë çështje të merren këta institucione për të parandaluar ndonjë rrezik më të madh për fëmijët”, thuhet në mes tjerash në kërkesën e bashkësive lokale të këtyre fshatrave të komunës së Tearcës.
Ndryshe, me këtë problem nuk ballafaqohen vetëm banorët e Tearcës, por edhe banorët e fshatrave të tjerë që gravitojnë në Komunën e Tearcës, prandaj me iniciativë të Bashkësisë Lokale të fshatit Tearcë, është mbajtur një mbledhje me bashkësitë lokale të fshatrave të tjerë dhe është bërë një kërkesë e përbashkët në komunën e Tearcës, stacionin policorë në Tearcë dhe institucionet tjera që sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje për këtë problem, për të shmangur ndonjë incident eventual që dikush edhe të kafshohet nga këto qen. Nga Komuna e Tearcës theksuan se janë në dijeni për këtë problem dhe premtuan se do të marrin masa për të parandaluar këtë fenomen të padëshiruar. Jozyrtarisht nga Policia e Tearcës thonë se kanë pranuar kërkesën e bashkësive lokale dhe janë shtuar kontrollet për të kapur personat eventual për të cilët dyshohet se sjellin qen endacak në territorin e Komunës së Tearcës, përcjell KOHA. Ky fenomen para disa vitesh ishte i pranishëm edhe në qytetin e Tetovës, kur në orët e mëngjesit silleshin qentë endacak të cilët më pas liheshin në rrugët e Tetovës. Prej atëherë e deri më tani ende nuk është ngritur padi ndaj ndonjë individi, por edhe policia në asnjë rast nuk ka arritur që të zbulojë se kush qëndron prapa këtyre veprave.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara