Qendra e parë për persona të verbër në Kryqin e Kuq

Shkup, 21 dhjetor – Qendra e parë për mbështetje të personave me shikim të dëmtuar në Maqedoni, e cila përmes punëtorive për mbrojtje shëndetësore, arsim dhe edukim psiko-social do t’u japë mbështetje personave të verbër, sot u hap në hapësirat e Kryqit të Kuq të RM-së, ndërkaq financuar nga USAID-i dhe Fondacioni ndërkombëtar i Lajons klubeve. Sipas sekretares së Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit, Suzana T. Paunovska, qëllimi i Qendrës është të sigurohen servise sociale, shërbime dhe kushte të personave me shikim të dëmtuar dhe familjeve të tyre dhe t’u lehtësohet jeta dhe funksionimi në shoqëri. “Konsiderojmë se shoqëria duhet të japë mundësi të barabarta për të gjithë njerëzit. Të gjithë së bashku t’i shfrytëzojmë kapacitetet e personave me shikim të dëmtuar dhe së bashku me të gjithë të tjerët të kontribuojmë në bashkësinë në të cilën jetojmë të jetë vend më i mirë për jetesë”, theksoi Paunovska. Informoi se në Qendër, personat e verbër do të kenë mundësi të shfrytëzojnë materiale të cilat do të shtypen me Alfabetin e Brajit, në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Drejtori i zyrës për zhvillim në USAID, Eduard Gonzales theksoi se njerëzit me pengesa në shikim janë persona mjaft të talentuar dhe me përfshirjen e tyre, sipas tij, e tërë shoqëria do të arrijë përparim. Personat me shikim të dëmtuar konsiderojnë se me hapjen e Qendrës do të avancohet dhe lehtësohet jeta në Shkup dhe Maqedoni. Qendra do të punojë prej të hënës deri të premten prej orës 9:00 deri në orën 17:00, ndërsa me personat e verbër do të punojnë ekipe vullnetarësh të Kryqit të Kuq në bashkëpunim me Lidhjen nacionale të personave të verbër në Maqedoni. Në Maqedoni janë rreth 2.300 njerëz të cilët janë me shikim të dobët, ndërsa nga Kryqi i Kuq paralajmëruan se në plan është edhe hapja e qendrave të këtilla në qytete të tjera të vendit.