Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se Moska do të kërkojë nga Kombet e Bashkuara të kryejnë hetim për sulmin e javës së kaluar me armë kimike në Siri. Putini e përshkroi incidentin si provokim të kryengritësve dhe tha se Rusia ka të dhëna të zbulimit se lloj i tillë i sulmeve janë planifikuar edhe në pjesë të tjera të Sirisë, në mesin e të cilave edhe Damasku. Forcat amerikane kanë kryer sulm raketor mbi bazën ushtarake siriane javën e kaluar si përgjigje e sulmit me armë kimike. Uashingtoni konsideron se sulmi është kryer nga forcat qeveritare siriane.