Implementimi i praktikave më të mira ndërkombëtare në zhvillimin e profesionit kontabilist në Maqedoni, si dhe përmirësimi i kontrollit të kompanive të cilat kryejnë veprimtari kontabiliste, ishte qëllimi i punëtorisë së sotme profesionale të kontabilistëve me përvojë ndërkombëtare, në organizim të Institutit të kontabilistëve të autorizuar dhe kontabilistëve (ISOS) dhe Lidhjes së kontabilistëve të Maqedonisë. Kryetarja e Institutit Lençe Papazovska sqaroi se praktikat do të ndihmojnë në zbatimin e Ligjit të ri për kryerje të punëve kontabiliste. “Kjo punë proaktive e grupit të punës do të japë kontribut të madh në zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të kontabilistëve në Maqedoni”, theksoi Papazovska.
Informoi se grupi i punës së organizatave profesioniste është formuar në Forumin internacional në Athinë në vitin 2015 dhe ka për qëllim t’u ndihmojë vendeve nga rajoni që ta përmirësojnë cilësinë e shërbimeve kontabiliste dhe vendosjen e nivelit të lartë të standardizimit gjatë miratimit të ICAEW – politikave dhe procedurave për sigurim të cilësisë, si dhe të përmirësohet kontrolli i kompanive të cilat kryejnë veprimtari kontabiliste dhe individëve kontabilistë. Sipas drejtorit ekzekutiv të Forumit ndërkombëtar të kontabilistëve me seli në Bruksel, Martin Manuzi, në punëtori, e cila është e fundit nga seria e katër punëtorive të cilat janë proaktive dhe u dedikohen kontabilistëve në rajon, do të mund të ndahen njohuri dhe përvoja për përmirësimin e punës së kontabilistëve.
Krahas ligjeruesve të shquar nga Anglia, Martin Manuzi, Xhenet Harts dhe Sian Vatson, në punëtorinë dyditore marrin pjesë edhe revizorë dhe punonjës financiar nga Federata e Bosnjë e Hercegovinës, Instituti për revizorë të autorizuar të Malit të Zi, Shoqata e kontabilistëve dhe revizorëve të Republikës Srbska, nga Serbia… Në Maqedoni nga Instituti deri më tani janë dhënë 9.153 vërtetime të kontabilistëve të autorizuar dhe kontabilistëve.
Në pyetjen e gazetarëve për humbjet nga kriza politike në Maqedoni, Papazovska tha se sipas informatave të kontabilistëve të cilët kanë qasje në llogaritë e kompanive, nuk vërehet ndryshim në fitim, përkatësisht nuk ka rënie, apo, siç tha, diku vërehet fitim më i madh në krahasim me vitin e kaluar, me përjashtim të veprimtarive të caktuara ku ka ulje.