Shkup, 4 prill – Prokuroria Speciale Publike të martën kumtoi se bën kontrolle lidhur me hetimet financiare për një numër më të madh të personave fizik dhe juridik, shkruan gazeta KOHA. “Prokuroria Publike zhvillon më shumë procedura parahetimore të cilat për qëllim kanë zbatimin e hetimeve financiare kundër një numri të madh të personave fizik dhe juridik. Qëllimi i këtyre procedurave parahetimore është të kontrollohet gjendja pronësore e të gjithë personave për të cilët janë hapur procedura dhe punën e tyre të përgjithshme financiare”, thonë në kumtesën nga PSP-ja. Kontrolli i gjendjes pronësore, siç sqarojnë, nënkupton kontrolle të hollësishme për tërë pronën që personat mund ta posedojnë edhe atë, si pronë të patundshme ashtu edhe të tundshme.
“Në këtë drejtim janë dërguar një numër i madh i kërkesave deri te institucionet e ndryshme, me paralajmërim se të dhënat e kërkuara kanë të bëjnë me procedura parahetimore. Duke pasur parasysh këtë, kërkojmë që institucionet shtetërore të ndërmarrin masa me të cilat do të pamundësohet publikim i të dhënave për procedura parahetimore, në pajtim me dispozitat ligjore, pasi ato janë sekrete. Është e palejueshme që institucionet shtetërore t’u mundësojnë qasje personave për të cilët bëhen kontrollet në llojin dhe karakterin e kontrolleve të cilat i bën kjo Prokuroi Publike, në pajtim me autorizimet ligjore dhe rregullat”, theksojnë në kumtesë nga PSP.
Ndërkohë, PSP para Gjykatës Penale ka ngritur procedurë për dënimin e drejtorit të Drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, si dhe ndaj tre personave të tjerë të këtij institucioni për shkak të mosbashkëpunimit me prokurorinë e Katica Janevës. Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-së Antonio Milloshoski, ka konfirmuar se PSP është duke zhvilluar hetime ndaj tij. Ai ka theksuar se informatat për këtë i ka siguruar nga informatorë. Ndërkaq, nga PSP kanë reaguar ndaj kësaj duke theksuar se është e pa tolerueshme që institucionet t’u mundësojnë qasje në informata personave që janë nën hetime. (koha.mk)