Shkup, 21 nëntor – Qytetarët e Maqedonisë edhe më tej do të presin që iniciativa e Agjencionit për Posta rreth mos doganimit të mallrave apo produkteve që blihen përmes internetit, me vlerë deri në 150 euro, të arrijë me shkrim deri tek Drejtoria e Doganave dhe Ministria e Financave. Tre vite më parë ky Agjencion e ka ngritur këtë iniciativë, megjithatë deri më sot tek institucionet përkatëse ende një shkresë të tillë nuk është pranuar. Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Lavdrim Veliu, në një prononcim për gazetën KOHA thotë se këtë kërkesë e kanë pranuar përmes zyrës së Qeverisë dhe jo në formë zyrtare nga Agjencioni iniciues. Rritja e pragut të lehtësimeve doganore nga 45 në 150 euro, sipas Veliut, duhet të bëhet me krijimin e kushteve plotësuese, duke u nisur nga përforcimi i sistemit të kontrollit nga ana e “Postave të Maqedonisë”, ku Drejtoria doganore do të ketë mundësi që të kyçet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të kryejnë analizën e rrezikut. “Analiza e rrezikut ka rendësi të theksuar, duke pas parasysh eliminimin e konkurrencës jolojale si dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga produkte joadekuate. Gjithashtu, duhet theksuar se rritja e pragut të lehtësimeve doganore nga 45 në 150 euro, do të ketë implikacione të drejtpërdrejta në buxhetin e sgtetit”, thotë Veliu. Çmimet tërheqëse në tregjet virtuale, siç janë “Aliekspresi”, “Ibej” apo “Amazoni”, ka ndikuar që sportelet e “Postave të Maqedonisë” të kenë më shumë leverdi të pakove, të cilët kryesisht vijnë nga Kina dhe përmbajnë veshmbathje, aksesorë të ndryshëm për telefona… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.