Prodhimtaria industriale në vitin e fundit shënoi rritje prej 3,5 për qind, vlerësoi Enti Shtetëror për Statistikë. Sipas të dhënave të publikuara, prodhimtaria industriale shënon rritje prej 3,4 për qind në dhjetor të vitit të kaluar në krahasim me dhjetorin e vitit paraprak.
Shikuar nëpër sektorë prodhimtaria industriale në sektorin e minierës dhe nxjerrjes së gurit në dhjetor të vitit 2016, në lidhje me dhjetorin e vitit 2015, shënon ulje prej 1,3 për qind, në sektorin e Industrisë së përpunimit shënon rritje prej 2,1 për qind, ndërsa në sektorin Furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim, rritje prej 13,6 për qind.
Rritja në sektorin e Industrisë së përpunimit është rezultat, para së gjithash, në prodhimtarinë më të madhe në pjesët në vijim: prodhimtari të pijeve, prodhimtari të prodhimit të duhanit, prodhimtari të veshjeve, prodhimtari të prodhimeve dhe preparateve themelore farmaceutike, prodhimtari të mineraleve të tjera jometale, prodhimtari të makinave dhe pajisjeve, të papërmendura në vend tjetër dhe prodhimtari të automjeteve motorike, rimorkio dhe gjysmërimorkio.
Sipas grupeve të përgjithshme industriale, prodhimtaria në dhjetor të vitit 2016 në krahasim me dhjetorin e vitit 2015, shënon rritje te Energjia për 8 për qind, prodhimet kapitale për 2,4 për qind, prodhimet e përhershme për konsum të gjerë për 18,9 për qind dhe Prodhimet jo të përhershme për konsum të gjerë për 5,9 për qind, derisa ulje shënon te Prodhimet intermediare, përveç energjisë për 5,4 për qind.