Vjollca SADIKU
Dibër, 3 prill – Të dhënat që prezantojnë Ambulancat gjinekologjike, të cilat veprojnë në Komunën e Dibrës, por që mbulojnë me aktivitetet e tyre komunat Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë- Rostush, tregojnë se viteve të fundit është në rritje numri i çifteve bashkëshortor që kanë probleme me sterilitetin, shkruan gazeta KOHA. Është një problem shume akut, thonë gjinekologët dibran dhe sqarojnë se steriliteti është prezent si te femrat, ashtu edhe te meshkujt. Gjinekologu Argëtim Fida, thotë se problemi i sterilitet tek çiftet bashkëshortore nga viti në vit merr përmasa shqetësuese. “Viteve të fundit kjo dukuri është në rritje në të tre komunat, të cilat mbulohen nga ana e ambulancave gjinekologjike në Dibër”, thotë për KOHA, Fida. Sipas tij, janë ndërmarrë të gjitha aktivitete për të sqaruar problemin shëndetësor dhe mendohet se steriliteti është si pasojë e disa ushqimeve jo organike, të cilët përdoren nga popullata. Në ambulancë, thotë Fida, trajtohet ky problem, por ka raste kur trajtimi mjekësor, vazhdon nëpër klinikat mjekësore sekondare dhe terciale. Duke marrë parasysh seriozitetin e sëmundjes së sterilitetit, ka raste kur problemi tejkalohet me medikamente, por njëkohësisht ka edhe raste kur partnerët vendosin që lindjen ta bëjnë përmes metodës In Vitro, meqë shteti mundëson një zgjidhje të tillë. Prandaj, në tre komunat në fjalë, ka një rritje të numrit të bashkëshortëve të cilët tani kanë fëmijë përmes kësaj metode. Në sferën e gjinekologjisë, në rajonin e komunave Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë – Rostush vazhdon të jetë prezent edhe problemi i mos-regjistrimit të femrës te gjinekologu. Fida thotë se afro 60 për qind e femrave nuk kanë gjinekolog amë. Në këtë kategori janë vajzat të cilat kanë mbushur 12 vjet dhe të cilat duhet të kenë gjinekolog amë, por ato nuk paraqiten dhe nuk regjistrohen. Bëhet fjalë për një numër të madh të vajzave, të cilët nuk kanë gjinekologë amë. Kategori tjetër janë gratë që përfundojnë me lindjet e fëmijëve dhe, sipas tyre, nuk duhet të vazhdojnë me kontrolle te gjinekologu, thotë Fida. Po sipas tij, kategoria e tretë janë gratë, të cilët për shkak të moshës mbi 55 vjeçare, vendosin vetë që të mos kontrollohet, gjë që është shumë problematike. Të tre kategoritë në fjalë gabojnë në aspektin e mospërfilljes, te gjinekologu amë, meqë nevoja për kontrolle te gjinekologu është teje e madhe. Aktualisht, në rajonin në fjalë, ka vetëm tre gjinekologë që faktikisht është pak për të mbuluar sferën e mbrojtjes shëndetësore në gjinekologji. Gjinekologët dibran theksojnë se numri i femrave, të cilët nuk kanë gjinekolog amë është një numër shumë shqetësues. Kontrollet gjinekologjike janë teje të nevojshme, shtojnë ata për ruajtjen e shëndetit te femra. Sa u takon kontrolleve të PAP testit, ata realizohen, por edhe atje ka femra të cilët anashkalojnë këtë kontroll tejet të nevojshëm. Sipas gjinekologëve, pjesa dërmuese, pas ftesave që marrin për realizimin e Pap testeve, ata i kryejnë. Nga këto vizita të rregullta, dukshëm është parandaluar edhe vdekshmëria nga kanceri i mitrës. Fida thotë se viteve të fundit, me zbulimin e hershëm të kancerit në qafën e mitrës, falë kontrolleve të rregullta është ulur edhe vdekshmëria nga ky lloj kanceri te gjinia femërore. Andaj, sa më herët zbulohet ky lloj kanceri aq më mirë është për kurim, shton ai.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara