Omer XHAFERI
Shkup, 9 qershor – Pjesa dëmruese e kadetëve të ri që kanë konkurruar për pranim në Akademinë Ushtarake këtë vit janë rrëzuar nga testimi pranues, gjegjësisht në pjesën e provimit psiko-fizik. Në bazë të reagimeve që kanë arritur në adresë të redaksisë së gazetës KOHA, kandidatët janë shprehur se problemi kryesor qëndron te dy mjekë në komisionin ushtarako-mjekësor, të cilët para fillimit të provimit fizik bëjnë konstatimin e gjendjes psikofizike të kandidatit. Aftësitë psiko-fizike të kandidatëve për kadetë në Akademinë Ushtarake, sipas të dhënave të publikuara në konkurs, i vërteton komisioni ushtarako-mjekësor, vlerësimi i të cilëve bëhet në përputhje me Ligjin për akademi ushtarake dhe Rregulloren e saj. Nga Ministria e Mbrojtjes për gazetën KOHA kanë thënë se ministrja Radmilla Shekerinska, gjatë ditës mërkurë pikërisht për këtë situatë të krijuar ka realizuar takim me dekanin e Akademisë Ushtarake. Nga MB theksojnë se në takim është konstatuar se dispozitat që burojnë nga Ligji për akademinë ushtarake dhe rregulloren e saj, nuk janë respektuar në këtë fazë të provimit pranues. “Ministrja ka kërkuar që të përsëritet testi psiko-fizik. Dhe, në kuadër të këtyre zhvillimeve ajo ka propozuar që komisioni Kadrovik ta mbikëqyrë në tërësi këtë procedurë, me qëllim dhënien e propozimeve për mbarëvajtjen më objektive të testimit”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes. Me qëllim sqarimin e dilemave se çka në të vërtet ka ndodhur gjatë procesi të pranimit të kadetëve të ri në Akademisë Ushtarake, gazeta KOHA kontaktoi edhe me dekanin e kësaj akademie, Orce Popovski, i cili tha se nuk është e vërtet se janë konstatuar parregullsi gjatë implementimit të dispozitave të Ligjit për akademinë ushtarake dhe Rregulloren e punës. Brenda kornizave të procesit të selektimit të kandidatëve të ri, dekani Popovski tha se gjatë procedurës së konkursit ekziston një komision ushtarako-mjekësor i cili i zhvillon aktivitet e parapara të cilët praktikohen për çdo vit. “Refuzimi apo mos dhënia e testit psikofizik për këtë vit nuk dallon fare nga vitet e mëhershme. Edhe gjatë këtij viti është zbatuar procedura zakonshme e pranimit të kadetëve të ri, gjegjësisht kandidatët të cilën nuk kanë arritur ta kalojnë këtë teste kanë të drejtë të ankesës (kundërshtim), me çka komisioni përkatës si çdo herë edhe kësaj radhe do t’i shqyrtojë parashtresat e dorëzuara nga kandidatët. Pas mbarimit të kësaj procedure, besoj se të njëjtit edhe njëherë do t’i nënshtrohen testimit, që nuk nënkupton se përsëri do të bien. Me rëndësi të theksohet është se bëhet fjalë për teste psikike, pyetje të cilave kandidatët për herë të parë ju përgjigjen. Në rezultatin përfundimtar te kjo pjesë e testimin ndikim të madh ka edhe disponimi i kandidatëve dhe faktorë tjerë të kësaj natyre”, tha dekani Popovski. Duke i komentuar zërat se komisioni ushtarako mjekësor masovikisht i ka rrëzuar nga provimit kandidatët e ri, ai theksoi çdo vit gjatë realizimi të testimit të parë rreth 30 për qind e kandidatëve nuk arrin ta kalojnë këtë fazë të provimit. Megjithatë, siç nënvizoi ai, procesi i selektimit dhe pranimit në Akademinë Ushtarake nuk përfundon në këtë shkallë, por se kundërshtimi i refuzimit të testit është e drejtë e çdo kandidati, i cili në të shumtë e rasteve pranohet. Numrin e saktë të kandidatëve që janë paraqitur këtë vit nuk e di dekani Popovski. Mes tjerash, ai shtoi se Komisioni ushtarako- mjekësor i cili i realizon testet psiko-fizike, nuk është nën Akademinë Ushtarake, por nën Qendrën ushtarake të mjekësisë, respektivisht përgjegjësi prej tyre mund të iniciojnë vetëm Ministria e Mbrojtjes.
NË MESIN E 80 KANDIDATËVE, VETËM 8 SHQIPTAR
Sipas të dhënave të gazetës KOHA, jo zyrtarisht mësohet se në konkursin e fundit të hapur nga Akademia Ushtarake janë paraqitur rreth 80 kandidatë. Nga ky numër, burime brenda akademisë thonë se vetëm tetë kandidatë janë shqiptarë, prej të cilëve gjashtë meshkuj dhe dy vajza. Gjatë realizimit të provimit pranues kandidatët për kadet i nënshtrohen provimeve pranues në komisionin për matematikë dhe gjuhë angleze, komisionin për pranim të dokumentacionit dhe përpunimin e të të dhënave, komisionin për testim të kursit selektiv dhe komisioni ushtarako-mjekësor, që paraqet pjesën më të rëndë të provimit. Në bazë të të dhëna jozyrtare të gazetës KOHA, mësojmë se vetëm katër nga gjithsej gjashtë meshkujt shqiptar e kanë kaluar testin psiko fizik, ndërsa kur bëhet fjalë për kandidatet shqiptare femra, testin psikofizik e ka kaluar vetëm një vajzë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara