Patriot LUMANI
Strugë, 24 shkurt – Që prej fillimit të vitit shkollor 2014/2015 nxënësit e ciklit të dytë të fillores nga fshati Kalishtë, të cilët mësimin e ndjekin në shkollën qendrore “Vëllezërit Milladinov” në qytetin e Strugës nuk u paguhet udhëtimi i transportit nga fshati në qytet. Prindërit e këtyre fëmijëve deri te gazeta KOHA ngritën shqetësimin se pavarësisht që në disa raste kanë ngritur këtë problematikë te autoritetet e shkollore apo te ato komunale, deri tani zgjidhja ka munguar. Sipas tyre, kjo që po ndodh me fëmijët e tyre, është një diskriminim i hapur që u bëhet atyre në rrafshin ekonomik në këto kohë të pafuqisë ekonomike të skajshme.
Neat Dalipi, nga Kalishti tregon se po bëhen vite që nxënësit detyrohen vet ta paguajnë transportin. Ai potencon se këtë problematikë prindërit e nxënësve të Kalishtit në disa raste e kanë ngritur deri te drejtoria e shkollës apo deri te autoritete komunale, por deri tani nuk ka pasur zgjidhje konkrete. “Padyshim që është një diskriminim i hapur, sepse përderisa shteti garanton transportin falas deri te shkolla, ne si qytetar po penalizohemi padrejtësisht dhe dëmtohemi financiarisht, sepse po detyrohemi të kontribuojmë. Paramendoni se si ndihen ata prindër që nuk kanë asnjë të ardhur financiare në këtë rast”, shprehet ai.
Ndërkohë, nga shkolla “Vëllezërit Milladinov” konfirmojnë këtë problematikë, e cila thonë se ka ardhur më shumë si rezultat i bllokimit të xhirollogarisë së shkollës dhe akumulimit të borxheve të prapambetura. Drejtori i shkollës, Shkëlqim Aliu, potencon për KOHA se shkolla nuk ka mundësi t’i mbulojë harxhimet deri në zhbllokimin e xhiro-llogarisë, sepse kompanitë refuzojnë të kryejnë shërbimin pa pagesë. Sipas tij, në rast se krijohen disa parakushte të reja ekziston mundësia që kjo problematikë të zgjidhet. Afërsisht rreth 1 milionë euro është borxhi i akumuluar i 11 shkollave fillore dhe 2 të mesme të Strugës prej shumë vitesh, ndaj palëve të treta konfirmojnë nga pushteti vendor. Si pasojë e kësaj performance të vështirë financiare rezulton pjesa më e madhe e tyre funksionojnë me xhirollogari të bllokuar përveç dy shkollave të mesme dhe tre shkollave fillore që së fundi arritën ta tejkalojnë këtë bllokim. Nga komuna e Strugës për këtë situatë të vështirë financiare fajësojnë borxhet e trashëguara në vite si mos ndërhyrjen e pushtetit qendror, i cili nuk ka gjetur mekanizëm që nëpërmjet bllok donacioneve të kontribuojë në tejkalimin e kësaj situate e cila do të vështirësohet edhe më shumë sipas tyre në rast se nuk ndërhynë qeveria me mjete shtesë në këtë drejtim. Më së shumti mungesa e mjeteve po penalizon shkollat në mos pasjen e parave të mjaftueshme për ngrohjen, transportin apo dhe për investimet e domosdoshme për mirë mbajtjen e godinave shkollore, për arsye se pjesa më e madhe dotacioneve shkon për paga. Ndërkohë, mjetet e parashikuara për harxhimet janë të pamjaftueshme dhe mbulojnë vetëm pesëdhjetë për qind të harxhimeve reale që kanë shkollat gjatë një viti. E gjithë kjo situatë problematike që po vazhdon prej disa vitesh, ka nxitur debate dhe polemika të shumta, por deri tani zgjidhja nuk është dukur ndërsa nga ana tjetër hendeku i borxhit të akumuluar është thelluar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.