Nga Federica MOGHERINI
Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian: kjo është detyrë për gjeneratën tonë politike, jo për të ardhshmen. Ballkani është pjesë e Evropës siç ka qenë gjithmonë: kurrfarë kufiri politik nuk mund ta ndryshojë këtë realitet gjeografik, historik dhe kulturor. Popujt e Ballkanit janë evropianë: ata meritojnë t’i kenë të njëjtat mundësi, mbrojtje si dhe të drejtat e njëjta si të gjithë qytetarët tjerë të këtij kontinenti. Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë përderisa ky rajon në zemër të Evropës nuk bashkohet si pjesë e komunitetit tonë. Gjatë vitit të kaluar, secili nga vendet e “gjashtëshit të Ballkanit Perëndimor” dhe Bashkimi Evropian janë afruar më shumë me njëri-tjetrin. Shumë nga sukseset tona të përbashkëta as që mund të imagjinoheshin vetëm para disa viteve.
Ju keni treguar solidaritet të vërtetë në adresimin e krizës së refugjatëve. Vendit gjithashtu i duhej të tejkalonte një krizë serioze politike, por tani është koha të kthehet në rrugën e vet euroatlantike, me të gjitha partitë kryesore politike duke pasur këtë synim, të ofrojnë bazë për bashkëpunim rreth axhendës së reformave.
Dy dekada pas luftërave të fundit, rajoni është tani më stabil dhe më demokratik se kurdoherë.
Mirëpo, stabiliteti dhe zhvillimi rajonal janë akoma të arritura të brishta. Kontestet politike shpeshherë kanë mbizotëruar në realizimin e interesave të qytetarëve. Premtimi i kushteve më të mira për jetë jo gjithmonë është përcjellë me përparim real dhe të dukshëm. Një ambient i ndërlikuar në rrafshin ndërkombëtar – me paraqitjen e sfidave të reja, rimëkëmbja e ngadaltë ekonomike si dhe ndryshimi në baraspeshat globale të fuqisë – edhe më shumë e ka rritur presionin mbi rajonin e brishtë. Ndonjëherë, kishim përshtypje se vetë paqja nuk mund të merret si e qenë.
Ne të gjithë kemi interes të njëjtë, ta bëjmë paqen në Ballkanin Perëndimor të pakthyeshme si dhe të arrijmë përparim social, ekonomik dhe demokratik. Nëse kjo ndodhë, përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të jetë po ashtu i pakthyeshëm. Kjo është thelbësore për Bashkimin Evropian po aq edhe për qytetarët dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.
Për të kontribuar në realizimin e këtyre synimeve, BE dhe vendet e anëtare duhet të angazhohen në mënyrë konstante me të gjitha kryeqytetet e rajonit. Për këtë arsye, unë do ta vizitoj këtë javë Ballkanin Perëndimor, do takohem me liderët dhe qytetarët në Podgoricë, Sarajevë, Shkup, Beograd, Tiranë dhe Prishtinë.
Doja që gjatë këtij udhëtimi të ndalesha në të gjitha gjashtë qytetet që të jetë vërtetë një udhëtim “rajonal”. Secili nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka identitetin e vet, sfidat dhe aspiratat e veta. Por, gjithashtu është e qartë se bashkëpunimi, dialogu dhe pajtimi kanë një ndikim pozitiv si në jetën e përditshme të qytetarëve po ashtu edhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian në tërë rajonin. Ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore është thelbësore veçanërisht për vendin tuaj.
Në ditët në vijim, do t’i vizitoj universitetet dhe do t’i dëgjoj frustrimet si dhe shpresat e të rinjve të Ballkanit: vizioni i tyre është thelbësor në formësimin e së tashmes dhe ardhmërisë së vendit, i liruar nga paragjykimet dhe hasmëritë e të kaluarës. Do të takohem me të gjitha qeveritë si dhe do të drejtohem në kuvendet nacionale, ku akoma nuk kam pasur mundësinë ta bëjë një gjë të tillë: aty është qendra e çdo demokracie, ku politikëbërësit patjetër duhet të tregojnë përgjegjësi dhe t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve të vet.
Sepse puna jonë e përbashkët ka të bëjë pikërisht me këtë. Reformat përkatëse për secilin vend kanë rëndësi jo sepse qeveritë apo Bashkimi Evropian i do ato, por, sepse ato reforma mund ta bëjnë ndryshimin e vërtetë për aq shumë njerëz në këtë rajon.
Në Shkup, të gjitha partitë politike duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në arenën demokratike: kjo është ajo që i duhet vendit për ta zvogëluar papunësinë, për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë si dhe për të luftuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shtyrja e këtyre reformave përpara është detyrë e gjeneratës sonë. Nëse duam të arrijmë rezultate të dukshme dhe të prekshme për qytetarët tanë, t’i përmirësojmë jetët e njerëzve, e kemi patjetër ta përforcojmë bashkëpunimin tonë sot, jo nesër. Dhe, kjo është përgjegjësia jonë, nëpër të gjithë Evropën, brenda në Bashkimin Evropian si dhe në Ballkanin Perëndimor.
(Autorja është përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri/Zëvendës-kryetare e Komisionit. Nga mediat shqipe në Maqedoni, gazeta KOHA mban të drejtën ekskluzive të botimit të këtij shkrimi)