Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki, sot realizoi një numër të madh të takimeve me deputetët e Parlamentit Evropian në kuadër të vizitës së tij dyditore në Bruksel. Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga kryeqendra evropiane, Poposki sot në Europarlament u takua me njeriun e parë të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së, Dejvid Mekalister, me eurodeputetët Tonino Picula, Elmar Brok, Marijana Petir, si dhe me kryetarin e Partisë popullore evropiane (EPP), Zhozef Dol, me ç’rast temë diskutimi ishin eurointegrimi i Maqedonisë dhe kriza politike në vend.
“Bisedimet ishin para së gjithash me vendet anëtare dhe me deputetët në Parlamentin Evropian në kushte në të cilat ministra e Punëve të Jashtme diskutojnë rreth agjendës evropiane të Ballkanit Perëndimor nga njëra anë. Nga ana tjetër, në Parlamentin Evropian miratohet Rezoluta për Maqedoninë. Në dy rastet është e dukshme brengosja, por zgjidhja qëndron në praninë më të madhe të Maqedonisë dhe rajonit në aspektin e integrimeve evropiane. Në këtë situatë me më shumë gjendje krize në rajonin e Ballkanit, më e rëndësishmja është përsëri të kthehet agjenda evropiane”, informoi ministri Poposki pas takimeve.
Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Maqedonisë thotë se në periudhën e kaluar Bashkimi Evropian ka qenë shumë i fokusuar në vetveten dhe në mënyrë të pamjaftueshme i ka kushtuar kujdes nevojës për mesazh të qartë ndaj vendeve të rajonit dhe veçanërisht ndaj Maqedonisë.
“Krahas asaj që është i vonuar procesi evropian i integrimit, megjithatë është i rëndësishëm se i njëjti do të zhvillohet. Ky mesazh është më i rëndësishëm edhe për qytetarët tanë, pasi që në fund të ditës, nuk mund të presim që të tjerët t’i zgjidhin sfidat tona. Ne duhet vetë dhe me burime personale t’i gjejmë zgjidhjet, por në mungesë të perspektivës së qartë evropiane, problemet mund të rriten, nuk mund të zvogëlohen”, shton Poposki.