Zejnulla VESELI
Shkup, 11 janar – Qarkullimi i mallrave në kalimin kufitar me Greqinë vazhdon të jetë i ndërprerë plotësisht tanimë 9 ditë, për shkak të grevës së bujqve grek, shkruan gazeta KOHA. Bujqit grek me makineri bujqësore nga 30 janari e bllokojnë rrugën drejt Selanikut dhe aspak nuk i lëshojnë automjetet të kalojnë nga të dyja anët e kufirit. Nga organet kufitare të Maqedonisë thonë se ende nuk kanë informata se deri kur do të zgjasë bllokada e kufirit që çon drejt rrugës për në Portin e Selanikut. Nga bllokadat e shpeshta që vazhdimisht po ndodhin pothuajse nga dy here brenda një viti nga ana e fermerëve grek, komuniteti i biznesit në Maqedoni disa herë ka kërkuar mundësi alternative për shfrytëzimin e porteve të Shqipërisë, e me theks të veçantë Portin e Durrësit, çdo herë kur do të ketë bllokada në Portin e Selanikut si pasojë e grevave të shpeshta të punëtorëve në këtë port apo të bujqve grek. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) disa herë kanë kërkuar që në kushte kur kemi bllokime të vazhdueshme, greva dhe mosfunksionim të Portit të Selanikut, të hapen edhe mundësi të tjera për kompanitë dhe t’u ofrohen kushtet më të reja që i ofrojnë portet tjera.
24 orë gjatë gjithë vitit
“Porti i Durrësit u ofron mundësitë më të mira në rajon biznesmenëve të Maqedoninë falë pozitës gjeografike, por edhe shërbimeve të cilat i ka në dispozicion. Porti i Durrësit është një nga portet më të vjetër në rajon dhe më i madhi në Shqipëri. Porti ka katër terminale: Terminalin traget, Terminalin Lindor, Terminalin për kontejnerë dhe terminalin perëndimor. Për dallim nga Porti i Selanikut, Porti i Durrësit punon 24 orë gjatë gjithë vitit që do të thotë se në çdo kohë është në shërbim të transportuesve”, thotë për KOHA, Menderes Kuçi, biznesmen dhe ish kryetar i OEMVP-ja. Pa dyshim se nga bllokadat e shpeshta të kufirit, ai thotë se dëmet janë shumë të mëdha për kompanitë për shkak se qëndrimi i produkteve gjatë kohë vendkalimin kufitar në kushte jo të përshtatshme, pra vihet në pikëpyetje edhe shëndeti i konsumatorit, ndërkaq produktet e shumta të kategorisë se helmeve të nevojshme për industritë e ndryshme si lëndë e parë, rrezikojnë kontaminimin e ambientit aq me tepër gjate verës kur temperaturat janë të larta. “Sigurisht kjo dukuri nuk është e re dhe se sektori i biznesit ka alarmuar për gjendjen duke ofruar edhe zgjidhje përmes projekteve te cilat lidhen me portet shqiptare mirëpo në këtë drejtim gjithmonë kemi pasur vesh të shurdhët dhe me fanatizëm është mbrojtur korridori 10 që me së tepërmi ka qenë interes i Serbisë dhe kryesisht investimet janë orientuar në këtë korridor e jo në korridorin 8 të cilin një kohë e favorizonte edhe Evropa dhe kishte gatishmëri për ndërtimin e tij, mirëpo politikat tona qeveritare si duket preferonin mos zhvillimin e këtyre zonave dhe si duket kishin albanofobinë e sajuar nga vet garniturat e ndryshme politike dhe nuk e shtrinë dorën drejt shtetit i cili i pari e pranoi Maqedoninë me emrin kushtetues dhe vëllazërisht i vuri ne dispozicion portet e veta, por me kot si duket Maqedonia zgjodhi të veproj sipas proverbit ‘nuk dua dhinë, le të cofë lopa komshiut’”, thotë Kuçi. Kjo, sipas Kuçit, lenë të nënkuptohet se vëllimi i këmbimit të mallrave edhe shume kohe nuk do orientohet nga këto porte përderisa nuk modernizohen vendkalimet kufitare. “Derisa nuk lidhemi me hekurudhë dhe nuk hapim alternativat e autostradave të propozuara nga ana e sektorit të biznesit të cilat do venin në funksion edhe portin e Shëngjinit por edhe portet tjera më të mëdha duke ulur kështu kostot dhe sigurisht në afat të gjatë duke zhvilluar rajonin ku ka më shumë shqiptare që fatkeqësisht dikujt po i pengon dhe lirisht mund të them se deri më tani ia kanë arritur qëllimit falë letargjisë dhe servilitetit të deritanishëm të politikaneve tanë”, thotë Menderes Kuçi, biznesmen. Nga kompania për transport të kontejnerëve “Blue bell”, thonë se Porti i Durrësit do të ishte mundësi e mirë për të zëvendësuar Portin e Selanikut, mirëpo kjo nuk varet prej kompanive nga Maqedonia, por nga ajo se sa kompanitë ndërkombëtare që transportojnë kontejnerë me mallra për kompanitë e Maqedonisë e zgjedhin Portin e Durrësit si destinacion të ri. “Për momentin alternativë e vetme mbetet Porti i Selanikut për shkak të distancës së vogël dhe harxhimet janë më të vogla. Durrësi do të ishte zgjidhje më e mire për kompanitë maqedone vetëm nëse do të kishim infrastrukturë rrugore të rregulluar në të dyja anët. Deri në rregullimin e infrastrukturës rrugore, për shkak të grevës së punonjësve të porteve dhe hekurudhave, një pjesë e kompanive mallin do ta sjellin përmes porteve në Varna, Burgas që njëherit është portet më i shtrenjta se Porti i Selanikut”, thonë nga “Blue Bell”
Transportuesit kërkojnë zhbllokimin kufirit
BEI Komunikacioni i Maqedonisë – AMERIT kërkon që asociacionet transportuese ndërkombëtare të ndërmarrin aksione dhe procedura urgjente tek qeveritë kompetente për zhbllokim të shpejtë të vendkalimeve kufitare ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë. Në drejtimet drejt Unionit ndërkombëtar për transport rrugor – IRU, Unionit të asociacioneve për transport rrugor në Rajonin ekonomik të Detit të zi BSEC-URTA dhe në drejtim të Asociacionit transportues grek OFAE, BEI “Komunikacioni i Maqedonisë” thekson se me bllokadat e vendkalimeve kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë dhe në komunikacionin rrugor ndërmjet dy vendeve tashmë 10 ditë u shkaktohen dëme tejet të mëdha dhe të pakompensueshme transportuesve të Maqedonisë dhe të rajonit, si dhe kompanive shfrytëzuese të shërbimeve të tyre. Emil Milev, udhëheqës i BEI Komunikacioni i Maqedonisë – AMERIT në fjalim bën thirrje që të respektohet TIR Konventa dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare për lëvizje transitore dhe të lirë të mallrave. Në rast të obstruksionit të korridorit ndërkombëtar (Korridori 10, nga Athina deri në Salcburg), thekson Milev, obligimi ndërkombëtar është që të sigurohet zhvendosje e qarkullimit të mallrave. Nga BEI “Komunikacioni Maqedoni” AMERIT thonë se kanë mirëkuptim për mundësitë sociale dhe problemet në Greqi, por se për shkak të bllokadave të fermerëve grekë në vendkalimin kufitar Evzoni kolona të mëdha të kamionëve presin në kufi me ditë. Në kumtesën nga BEI “Komuniakcioni Maqedoni” tregohet edhe për vendimin e Qeverisë së Maqedonisë me të cilin u mundësua transiti i derivateve të naftës edhe në vendkalimet Dojran dhe Mexhitli, si vendkalime alternative, të cilat mund të shfrytëzohen nga transportuesit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.