Delvina KËRLUKU
Aktori Musbajdin Qamili lindi në nëntor, të vitit 1972, në Tetovë. Ka luajtur mbi 30 role. Është nderuar me çmime në Kosovë, Bullgari, Maqedoni. Jeton në Tetovë, vepron në Shkup.
KOHA: Ç’vend zë aktori në jetën e përditshme?
MUÇI: Në jetën e përditshme mundohem të jem sa më korrekt me familjen time dhe me njerëzit që më rrethojnë. E rëndësishmja që më dallon nga skena është se i dua njerëzit, mundohem të jap energji pozitive. Prej një karriere jo të vogël, gjithmonë jam rrethuar me njerëz. Kam një familje që më bën të lumtur. Ndonjëherë edhe gaboj, por jam nga ata meshkuj që di të kërkoj falje.
KOHA: Nëse për një emigrant jeta është e vështirë, si e konceptoni vështirësinë që has një aktor?
MUÇI: Si rruga e aktorit po ashtu edhe e emigrantit, them se kanë vështirësi paralele. Por, rruga e një aktori është jashtëzakonisht e vështirë, sepse këtu e dimë se si maten vlerat. Politika i ka futur thellë hundët në art, sidomos në teatër. Nga kjo gjendje shpesh më vjen të pështy. Politika bën aq dëme sa që dirigjon se kush do të luajë në teatër, kush do të marrë rolin në një shfaqje, bile dirigjon edhe kujt t’i jepet buxheti. Në Ballkan çdo gjë varet nga politikat, pra nuk varet nga vlera. Urdhra politike përcaktojnë fatin. Jeta e aktorit në Maqedoni, aq më shumë e aktorit shqiptarë, është e vështirë. Ne kemi probleme me buxhetin që ndahet për kulturën shqiptare. Por, pavarësisht të gjitha barrierave, unë vazhdoj të punoj. Drejtoj një festival ndërkombëtar të teatrit, i cili këtë vit shënon 10 vjetorin. Vazhdoj të kem role. Këtë vit realizova një rol antologjik, Makbethin e Shekspirit. Jam i lumtur. Në fakt jam i kënaqur, sepse lumturia nuk ka fund.
KOHA: Tragjedi apo komedi pëlqeni?
MUÇI: Kur luhet mirë tragjedia, unë si aktor ndjehem i lumtur. Roli i fundit ka qenë “Makbethi”, kryevepra botërore, e cila kishte dramën e vet. Aktori çfarë do roli që të luan, në fund, kur del një prodhim i mirë, një shfaqje e mirë apo një rol i mirë, ai merr lumturinë dhe duartrokitjen.
KOHA: Keni pasur çaste të cilat iu shndërruan në pesimist, duke menduar të hiqni dorë nga aktrimi?
MUÇI: Shumë herë ka ndodhur që të jem pesimist, por kurrë nuk kam menduar që të tërhiqem nga aktrimi. Është zanati që më mirë mund ta bëj.
KOHA: Ju thërrasin përherë në emër apo në emrin e një nga personazheve që ke luajtur?
MUÇI: Po, shpesh ndodh të më thërrasin në emrat e personazheve që kam luajtur. Madje disa ashtu më njohin.
KOHA: Mendoni që diçka i ka munguar karrierës suaj, për të pasur edhe më shumë role dhe angazhim artistik?
MUÇI: Sigurisht, për aktorin asnjëherë nuk është mjaft. Edhe unë kam ëndrrat e mia. “Makbethin” nuk e kam paramenduar. Kjo është një ndër kryeveprat botërore. Deri më sot nuk kam pasur rol kaq të madh në karrierën time. Një thënie thotë: “Rri drejt se e mira vjen”. Dhe unë kësaj kam filluar t’i besoj.
KOHA: Çfarë ndryshimesh keni ndjerë jetë nga momenti që jeni ngjitur në skenë?
MUÇI: Të jesh aktor nuk është punë e vogël. Është punë e madhe. Aq më shumë kur komunikon me publikun, kur dërgohet një porosi. Të jesh aktor, do të thotë të jesh i zgjedhur nga njerëzit e tjerë. Jo se je i vlefshëm, por ke një privilegj nga njerëzit e zakonshëm.
KOHA: Skena është botë në vete?
MUÇI: Po. Skena është botë në vete.
KOHA: Si i përjetoni fjalët e pashkruara nga Ju, por që i interpretoni zëshëm?
MUÇI: Pa dyshim që duhet t’i ndjesh që një rol të dalë i mirë. Unë si aktor mundohem të jap maksimumin.
KOHA: Keni “vdekur” në një nga shfaqjet. E pranoni vdekjen?
MUÇI: Vdekja është proces që nuk mund t’i ikim kurrë. Kam pasur role që është dashur të vdes në skenë. Megjithatë, vdekja është e tmerrshme.
KOHA: Kishe dashur të vdesësh në skenë?
MUÇI: Pyetje e çuditshme. Sa të vdes diku tjetër, më mirë të vdes në skenë.
KOHA: Teatri është jeta dhe jeta është teatër?
MUÇI: Jeta në përgjithësi është teatër, poqë teatri është jeta jonë dhe kjo nuk diskutohet.
KOHA: Keni mbajtur ndonjëherë maskë në jetë, si në skenë?
MUÇI: Jo, kurrë.
KOHA: Ku e gjeni veten më mirë: në teatrin argëtues, teatrin moralizues, teatrin mister?
MUÇI: Unë kam luajtur në disa lloj teatrosh, rrymash. Megjithatë, më pëlqen komedia, duke mos përkushtuar edhe zhanret tjera, si për shembull “Magbeth-in”, që ka në thelb tragjedinë më të madhe në botë. Por, unë qëndroj në atë se komedia më pëlqen më shumë.
KOHA: Përjeton emocionalisht jetën e personazheve që luan, në fatkeqësi e në ngadhënjim?
MUÇI: Pa diskutim. Duhet ta përjetosh që të dalë një skenë e mirë, një qeshje e bukur, një lot vajtues.
KOHA: A është arti në thelb politikë?
MUÇI: Shumë njerëz të mëdhenj nuk i kanë dhënë përgjigje kësaj. Por do të thosha që politika është art i së mundshmes.
KOHA: Qajnë burrat?
MUÇI: Kam qarë disa herë jo vetëm në skenë, por edhe në jetë.
KOHA: Koha është e maskarenjve?
MUÇI: Koha e sotshme nuk është e maskarenjve, por e super –maskarenjve.
KOHA: A të kanë tradhtuar, a i ke tradhtuar?
MUÇI: Vesin të cilën më shumë e urrej në jetën time është tradhtia. Unë rrjedh nga një familje e ndershme dhe shumë fisnike. Gjërat që i mbaj mend në fëmijëri është se babai përherë e urrente të jesh “spiun, tradhtar”, gjëra që m’i ka ngulitur thellë në kokë, duke më thënë: “këtë gjë kurrë, këtë gjë kurrë”.
KOHA: Talenti është dhunti e Zotit?
MUÇI: Unë besoj që po.
KOHA: Besoni në vete apo në Zot?
MUÇI: Sigurish në Zot. Zotin e besoj, sepse gjithë ky univers ka një dorë që lëviz. Është e pamundur që të ekzistojë mbi-njeriu, që ta kontrollojë. Besoj dhe pa fuqinë e Tij ,nuk ndodh asgjë.
KOHA: Bekoni më shumë apo mallkoni?
MUÇI: Deri më sot unë s’kam mallkuar asnjë njeri. Përherë kur e shoh që dikush do të më bëj diçka, them nga Zoti, unë jo. Unë nxjerr dufin, duke thënë ndonjë fjalë “të ndytë”, por s’e kam me të keqe.
KOHA: Më mire me flokë a tullac?
MUÇI: Ka 15 vjet që kanë filluar të më bien flokët. Por, ndjehem mirë kështu si dukem. Nuk e kam pasur kurrë këtë fiksim. Më pak harxhime. (qesh)
KOHA: Të kanë puthur në ballë. Çfarë simbolizon?
MUÇI: Po. Të të puthin në ballë, do të thotë ndershmëri, krenari, dikush thotë miqësinë. Njerëzit më në moshë më kanë puthur në ballë, edhe djali im i vogël.
KOHA: Flet vet me vete?
MUÇI: Ka pasur raste. Kam pasur momente të vështira në jetë, që jam ulur e kam folur me veten. S’ka njeri më të ndershëm se sa ai që flet me veten. Ndërgjegjësohet, korrigjohet.
KOHA: Cigarja është “shoku” yt më i afërt?
MUÇI: E tmerrshme. E them tmerrësisht se është shoku im i ngushtë. Kam tentuar të heq dorë, por është e pamundur.
KOHA: Cila është ëndrra e një nate?
MUÇI: Njerëzit kanë shumë ëndrra. Ëndërroj që dy vajzat e mia të shkelin Parisin. Është një dashuri e pashpjeguar. Të darkoj një natë në Paris me familjen time, në qytetin e teatrit botëror.
KOHA: Do të doje të ishe po ai Mbreti, si ungj i dhimbsur, xhelat i poshtër, komplotist i pabesë, vetëm mbret?
MUÇI: S’e kam menduar… Mbret të jesh nuk do të thotë të jesh edhe mbret i keq, por ka edhe shumë mbretër që janë të mirë. Ka mbretëresha që janë shumë të mira. Njerëz fisnik. Mua më pëlqen tradita mbretërore, ajo tradicionalja e familjeve mbretërore. Mbret s’e kam menduar, mbase sepse s’mund të bëhem asnjëherë. Mbretëria si mbretëri më pëlqen.
KOHA: Duartrokitjet e publikut apo çmimet?
MUÇI: Kam marrë çmime, por duartrokitjet e publikut janë të pazëvendësueshme. E pastaj kur vjen edhe një çmim pas duartrokitjeve, është qershia mbi tortë.
KOHA: Sa e rëndësishme është familja për aktorin?
MUÇI: Sikur nuk do ta kisha mbështetjen nga familja, pa diskutim nuk do të arrija këtu ku jam, duke filluar nga babai, nëna. Pesëmbëdhjetë vite është gruaja mbështetësja ime më e madhe. Ajo përkushtohet më shumë për familjen tonë, prindërit e mi, shkollimin e fëmijëve dhe gjithçka që do jeta, sepse aktori më shumë kohë qëndron në skenë. Nuk e di a do të mund t’ia kthej atë që ka bërë për mua.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.