Shkup, 30 nëntor – Edhe një herë u vërtetua se futbolli në Maqedoni po fundoset shumë e më shumë në një humnerë që nuk i shihet fundi, ndërsa sot kjo është vërtetuar në ndeshjen kampionale të Ligës së Parë të luajtur në Kratovë në mes ekipeve të KF Sileksi dhe KF Shkupi, e ku aktor kryesor ishte arbitri kryesor Dalibor Gjorgjevski me ndihmësit e tij, të cilët si duket do të duhet të vizitojnë ndonjë klinikë për sytë. Kështu thuhet në një reagim drejtuar mediave nga Kryesia e KF Shkupi, sipas të cilës, arbitri i vodhi pikët ekipit të Çairit, raporton gazeta Koha.
“Ndeshjen e mrekullueshme edhe pse në një terren të vështirë, nuk mundte ta prish askush, përveç se arbitrat, për të cilët nuk është hera e parë, e besojmë se nuk do të jetë as e fundit derisa do të jenë në listën e arbitrave të deleguar, të cilët do të mundohen që ta dëmtojnë ekipin tonë, me qëllim dhe vetëdije. Kryesia e FC Shkupi reagon në vjedhjen klasike të pikëve që ju bë ekipit tonë në këtë ndeshje, ku qartë u pa se goli i shënuar nga Igor Nedeljkoviq, futbollisti i Sileksit – ndalë topin me dorë, duke marrë më pas epërsi ndaj mbrojtësve tanë, ndërsa pas reagimit të futbollistëve tanë, Gjorgjevski reagoi me ndarjen e kartonit të verdhë për portierin e Shkupit, Suat Zendeli, i cili me të drejtë si kapiten i skuadrës reagoi pas dëmtimit të klubit tonë”, thuhet në reagim.
Nga ana tjetër, vijon më tej reagimi, që rrëfimi të jetë edhe më i dhimbshëm, arbitri i cili nuk ka “haber” nga referimi, anuloi gol të pastër për ekipin tonë, kur nuk kishte as pozitë jashtë lojë nga autori i golit Aliou Traore, e as ndërhyrje të palejuar nga Khalil Lambini, por për Daliborin dhe kompaninë e tij, gjithçka është e mundur, e nëse ishte nevoja në këtë rast do akordonte penallti për Sileksin para 16-tëshes së tyre.
“Sigurisht se Daliborit nuk i konvenonte as që ta vazhdojë ndeshjen, ai nuk lejoi as një sekondë nga 90 minutat e rregullta që të luhej më shumë, edhe pse kishte shumë ndërprerje për tu dhënë ndihmë futbollistëve që u ankuan nga lëndimet, e më pas kishte edhe pesë zëvendësime, që së paku sipas rregullores – do duhej që të ketë pesë minuta kohë shtesë, por ja, kjo ndodh kur arbitër kryesor e keni policin Dalibor dhe kompaninë e tij, të cilët si duket para secilës ndeshje ndaj Shkupit marrin direktiva, nëse jo atëherë FFM do të duhet që në afat sa më të shpejtë, ti sanksionon shkaku i arbitrimit të keq dhe të qëllimshëm duke e dëmtuar ekipin tonë”, theksohet në reagimin e KF Shkupi.
Me këtë reagim, KF Shkupi dëshiron ti bëjë me dije Komisionit për delegim të arbitrave, “që polici Dalibor Gjorgjevski nuk është i mirëseardhur në stadiumin e Çairit, por as që duam të na referojë në ndeshjet tjera si mysafir, shkaku se është shembull klasik se si një arbitër i Ligës së Parë, është kundër ekipit tonë dhe në secilën ndeshje ku luan Shkupi, atë e përcjellin skandale”. (koha.mk)