Fitore me polemika për Miralem Pjanic, i cili në fund të ndeshjes Juventus-Lazio 2-0, e ka gjetur veten në qendër të zemërimit të tifozerisë bardhekaltër. Shkak është bërë një foto që ish-mesfushori i Roma-s ka postuar në profilin e tij në Instagram, transmeton “T.S”. Në foto boshnjaku shfaqet duke pozuar së bashku me shokët e skuadrës në dhomat e zhveshjes bardhezi, por nën këmbët e tij duket qartë fanella e Lazio-s.
Një gjest ndoshta i pavullnetshëm dhe nën efektin e euforisë së momentit, por që ka acaruar shumë tifozët bardhekaltër, mbi të gjitha edhe për të kaluarën e tij si verdhekuq. Për rrjedhojë kanë qenë të rënda komentet ndaj tij, duke nisur nga klasikja “të të vijë turp” e deri te “romanist m…”, apo nga ata që në mënyrë më të qytetëruar kanë konstatuar: “Nuk ke ndryshuar aspak, stili romanist të ka mbetur në gjak”.