Të paktën pesë persona e kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar herët në mëngjes, kur një autobus ka dalë nga rruga dhe ka rënë në ambis në afërsi të qytetit Sinop në Turqinë Veriore. Siç njofton TASS, sipas informatave të para të hetimit policor, deri te aksidenti ka ardhur kur shoferi ka humbur kontroll ndaj autobusit në kushte të reshje të dëborës dhe ngricave në rrugë. Tani për tani nuk ka më shumë hollësi për seriozitetin e lëndimeve të udhëtarëve të mbijetuar. Drejt vendit të aksidentit janë nisur më shumë ekipe të ndihmës së shpejtë dhe ekipet e shpëtimit.