Bujar KURTAJ
Shkup, 1 prill – Pas pushimit për shkak të dy ndeshjeve të përfaqësueses së Maqedonisë ndaj Lihtenshtajnit dhe Bjellorusisë, në fundjavë rikthehen ndeshjes e Ligës së parë futbollistike të Maqedonisë. Kjo pauzë sigurisht se u ka shërbyer mirë ekipeve, pasi kanë pasur mjaftë kohë për të analizuar mirë paraqitjet e deritanishme dhe për ti rikuperuar disa nga lojtarët që kanë qenë të lënduar. Ndryshe, në program do të jenë pesë përballje, ku në përjashtim të një dueli, ai mes Shkëndijës dhe Makedonia Gj.P. ku kuqezinjtë janë favorit absolut për tre pikët, katër përballjet tjera pritet janë derbi.
Sileksi në Kratovë do të pret Renovën, në përballjen ku pritet të zgjidhen shumë dilema. Me fitore eventuale të njërës nga këto dy ekipe, do të rruhen shpresat për pozitën e tretë, sidomos me faktin se dy konkurrentët tjerë për pozitën e tretë Rabotniçiki dhe Pelisteri, i presin përballje të vështira. “Romantikët” do të luajnë derbin lokal me Vardarin, ndërsa Pelisteri do të jetë mysafir i Shkupit në Çair. “Siç e dini na pret një ndeshje e rëndë ku tereni i Kratovës njihet si teren i vështirë. Besoj se këtë pauze e kemi shfrytëzuar maksimalisht duke punuar dhe përgatitur për këtë ndeshje. Renova gjithmonë shkon në tre pikë, dhe në këtë ndeshje shkojmë për të fituar. Me angazhim të të gjithë lojtarëve dhe me përkushtim maksimal, besoj që tre pikshi udhëton në Tetovë”, tha për KOHA, Useini.
Shkupi siç thamë në Çair do të pret Pelisterin, ndaj të cilit djemtë e trajnerit Ardian Nuhiu besojnë në fitore. Çdo rezultat tjetër nuk do tu konvenonte atyre, pasi pozita në të cilën gjenden në renditjen tabelore, nuk është e lakmueshme. Në anën tjetër edhe mysafirëve nga Manastiri u nevojitet fitorja, duke marr parasysh se po “luftojnë” për pozitën e tretë. Andaj, kjo garanton se të dielën në Çair do të zhvillohet një “luftë” e madhe në fushën e gjelbër. Ndaj Pelisterit bardhekaltërit do të jenë të kompletuar, pasi në ekip kthehet edhe Filip Janevski, ndërsa pritet dhe debutimi i francezit Emmanuel Mbella. Ky i fundit është shprehur se dueli me Pelisterin do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, ku duhet treguar se Shkupi është ekip që meriton të jetë në mesin e skuadrave më të forta në kampionat. “Do të jetë ndeshje e vështirë në debutimin tim, sigurisht se do të dëshiroja një debutim me ndonjë kundërshtar më të lehtë, por nuk u frikësohem sfidave. Do të jetë një test i mirë për ne, pasi që tani jemi kompletuar, është rikthyer edhe Janevski dhe tani jemi të gjithë në shërbim të trajnerit dhe mendoj se tani është momenti të dëshmojmë nëse vërtet jemi skuadër që mundë të jemi në pozitë më të lartë në kampionat, pra kjo ndeshje do të jetë një test i mirë jo vetëm për mua, por për të gjithë lojtarët që do të marrin besimin e trajnerit. Ne presim të kemi mbështetje të madhe nga tifozët dhe të japim njëqind për qind nga vetja në këtë ndeshje”, tha për faqen e klubit Mbella.
Në “Telekom Arena” do të zhvillohet derbi lokal mes Vardarit dhe Rabotniçkit. E para lufton për titullin e kampionit, ndërsa “romantikët” për pozitën e tretë e cila mundëson të luash në Liga Evropë. Ndeshjet ndërmjet këtyre dy skuadrave gjithmonë kanë ofruar futboll cilësor, ku në të kaluarën ka ndodhur që një gol të vendos fituesin. Nga radhët e të dyja ekipeve paralajmërojnë lojë të mirë dhe sigurisht rezultat pozitiv. Ndërkohë, të gjitha ndeshjes e javës së 24 në LPFM-së do të zhvillohen në ora 15:00.
Dyshet:
Sileksi – Renova
Shkupi – Pelisteri
Vardari – Rabotniçki
Shkëndija – Mak.Gj.P.
Pobeda – Bregallnica