Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 gusht – Objekti për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, i cili duhet të ndërtohet në hapësirat e ish-Kazermës “Ilinden” ende nuk duket gjëkundi. Madje, nuk është zgjedhuar ende as plani ideor për objektin e UNT-së, një procedurë kjo, që sipas rektorit Aziz Pollozhani, është shoqëruar me vonesa edhe për shkak të rebalancit të buxhetit, i cili u miratua ditë më parë. Por, procedurat përgatitore, sipas tij, kanë përfunduar dhe javën e ardhshme thotë se do të nxirret Konkursin për zgjedhjen e planit ideor. Këtë çështje, rektori i UNT-së e ka diskutuar të premten edhe me zëvendësministrin e Arsimit, Visar Ganiu, për të parë se cilat janë format për përmbylljen më të lehtë të kësaj faze, e cila duhet ti hapën rrugë ndërtimit të objektit të UNT-së, respektivisht fazës vijuese për konkurrimin e firmave ndërtimore.
“Me vizitën e sotme të zëvendësministrit, faktikisht kemi përfunduar të gjitha elementet e mundshme të projektit ideor, pra edhe aspektet teknike për realizmin e kësaj faze. Pasi që, siç dihet, na u desh të presim disa javë edhe për shkak të rebalancit të buxhetet, meqë për këtë projekt duhej që të siguroheshin mjetet financiare”, shpjegon Pollozhani. Javën e ardhshme, plotëson më tej ai, besoj se do të hapim konkurs për zgjidhje ideore të projektit për ndërtimin e objektit të UNT-së në vendin që është i destinuar për këtë punë prej kohësh. Konkursin në fjalë, ka shumë gjasa ta nxjerrë UNT dhe jo Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me qëllim të realizimit të shpejtë apo “për shkak të interesit të lartë publik” sikurse vlerëson zëvendësministri Ganiu. Megjithatë, një gjë e tillë nuk është përcaktuar definitivisht, pasi gjithçka varet nga marrëveshja që do të arrihet mes UNT-së dhe MASH-it sa i takon çështjes se cili prej këtyre institucioneve do të merr përsipër hapjen e Konkursit.”në aspektin ligjor është e mundur që përve; MASH-it Konkursin për projektin ideor ta shpalon edhe vetë UNT-ja. Por, do ta definojmë këtë në marrëveshjen që do të arrihet mes MASH-it dhe UNT-së, këto ditë”, pohon ai. Zëvendësministri i arsimit, sqaron më tej se “meqë bëhet fjalë për universitet të vijës së parë, pra me një interes të lartë publik mund të shfrytëzohet edhe mundësia që konkursin ta hapën vetë universiteti”. Për fazën e përgatitjes së projektit ideor për ndërtimin e objektit të UNT-së, me rebalancin e buxhetit janë ndarë 4 900 000 denarë. Këtu hyn edhe përgatitja e konkursit përkatës, ndërsa mjetet përkatëse i janë ndarë UNT-së. Prandaj ehde nëse konkursin do ta shpallte MASH dhe jo UNT, mjete për të gjitha shpenzimet përkatëse do të tërhiqeshin nga UNT-ja.
Zëvendësministri Ganiu dhe rektori Pollozhani u prononcuan për çështjen e objektit të UNT-së, pas inaugurimit të Info qendrës, e cila është hapur në lokatet që universiteti shfrytëzon përkohësisht te ndërtesa e Lidhjes së Sindikatave. Nga 15 gushti, kur edhe nis afati i parë i dorëzimit të dokumenteve për regjistrimin nëpër fakultete, studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup do të ketë zyrën e tyre të çështjeve studentore, respektivisht Info qendrën e UNT-së. Sipas tyre, hapja e kësaj qendre është tregues i konsolidimit të UNT-së në aspektin administrativ-akademik. Për javën tjetër paralajmërohet inaugurimi i laboratorëve për programet studimore të fakultetit të teknikës dhe teknologjisë, në hapësirat e Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”. Zëvendësministri i Arsimit, Ganiu, kujtoi me këtë rast edhe sigurimin e lejeve për hapjen e Konkursit për plotësimin e 43 vendeve për profesorë dhe asistentëve si dhe të 20 të punësuarve në administratë. Konkurset janë në rrjedhë e sipër dhe pritet të zgjojnë interes të madh pasi janë tejkaluar dilemat nëse projekti për themelimi e UNT-së do ti mbijetonte ose jo rotacionit politik. Në pesë fakultetet e Universitetit “Nënë Tereza” për vitin akademik 2017/2018 do të ketë 1580 vende të lira.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.